OBSH ngre alarmin për numrin e grave të dhunuara fizikisht ose seksualisht nga partneri

Dhuna ndaj grave mbetet e përhapur në mënyrë shqetësuese dhe këtë herë më një shifër alarmante, lajmëron OBSH. Gjatë gjithë jetës së tyre, 1 në 3 gra, rreth 736 milionë, i nënshtrohet dhunës fizike ose seksuale nga partneri me të cilin kanë një marrëdhënie, ose nga një dhunues seksual që nuk e ka partner.

“Dhuna ndaj grave është endemike në çdo vend dhe kulturë, duke shkaktuar dëm në miliona gra dhe familjet e tyre, dhe është përkeqësuar nga pandemia Covid-19”,-tha Dr Tedros Adhanom Ghebreyesus, Drejtori i Përgjithshëm i OBSH-së.

“Por ndryshe nga COVID-19, dhuna ndaj grave nuk mund të ndalet me një vaksinë. Ne mund ta luftojmë atë vetëm me përpjekje të rrënjosura dhe të qëndrueshme – nga qeveritë, komunitetet dhe individët – për të ndryshuar qëndrimet e dëmshme, për të përmirësuar qasjen në mundësi dhe shërbime për gratë dhe vajzat, dhe për të nxitur marrëdhënie të shëndetshme dhe të respektueshme reciprokisht.”

Dhuna e ushtruar nga një partner është forma më e përhapur e dhunës, megjithatë 6% e grave raportojnë se janë sulmuar seksualisht nga një person tjetër përveç burrit ose partnerit.

Mendohet se shifrat janë më të larta, pasi ka shumë raste të cilat nuk raportohen për shkak të frikës që gratë kanë nga partnerët e tyre.

Shtuar 11.03.2021 11:03