NYT angazhon 5 gazetarë për Ramën dhe McGonigal, çfarë tha prestigjiozja amerikane dhe si përfshihet kryeministri shqiptar

Skandali i ish-zyrtarit të FBI, Charles McGonigal, ka marrë vëmendjen e mediave amerikane dhe jo vetëm.

McGonigal, një figurë jo e panjohur në Shqipëri, u rikthye në vëmendje pasi u arrestua dhe kjo nxori në dukje lidhjet e tij me kryeministrin Edi Rama, por edhe zyrtarë të tjerë shqiptarë.

Vetë Rama refuzoi të paraqitej në Kuvend për t’u përgjigjur në lidhje me këtë çështje e megjithatë në po të njëjtën ditë, në orët e mbrëmjes, Rama zgjodhi të shfaqej në media dhe të sulmonte gazetarët që e pyetën në lidhje me këtë çështje.

Pikërisht të nesërmen, media amerikane “New York Times” publikoi një shkrim që vinte në dukje implikimet e kryeministrit Rma në çështjen e McGonigal, në të cilin thuhej se emri i tij përmendej disa herë në aktakuzë.

“New York Times” angazhoi një ekip prej 5 gazetarësh për shkrimin në fjalë, i cili mban emrat e Michael Rothfeld, William Rashbaum, Keneth Vogel, Adam Goldman dhe Susan Beachy.

Dy prej tyre, Micharl Rothfeld dhe William Rashbaum janë fitues të çmimit më të lartë në gazetari, Pulitzer.

Ndër të tjera në shkrim thuhet se takimi mes Ramës dhe McGonigal u ndërmjetësua nga Dorian Duçka, këshilltari informal i Edi Ramës.

Në artikull thuhet se kryeministri shqiptar dhe McGonigal zhvilluan një marrëdhënie, ku zyrtari i FBI, ndërmori hapa në dobi të Ramës.

“Kur ishte ende në F.B.I., McGonigal zhvilloi një marrëdhënie me kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama dhe ndërmori hapa në dobi të politikanit, sipas prokurorëve në Uashington. Zoti Rama e ka portretizuar veten si një reformator dhe kundërshtar i luftës së Rusisë në Ukrainë. Por pas daljes në pension të tij në 2018, zoti McGonigal punoi në anën tjetër, në listën e pagave të një oligarku rus të sanksionuar, Oleg Deripaska, që dikur shihej si anëtar i rrethit të ngushtë të Presidentit Vladimir V. Putin, bazuar në aktakuzën për McGonigal dhe një tjetër shtetas Sergei Shestakov“, shkruan New York Times.

Gazeta vë gjithashtu në dukje faktin që Edi Rama vetëshpallet properëndimor, por nga ana tjetër takohej me Charles McGonigal, i cili kishte marrë fonde nga oligarku rus Oleg Deripaska. /albeu.com

 


Shtuar 4.02.2023 13:15