Nxjerrja e të dhënave personale nga e-Albania për fushatë, SPAK nis hetimet

SPAK ka nisur verifikimet për pretendimet e nxjerrjes së të dhënave personale të qytetarëve nga portali e Albania.

Një ditë më parë në media u publikuan të dhëna të qytetarëve, si numri i kartës së ID, numri i telefonit dhe preferenca e tyre politike.

SPAK mësohet se po kryen verifikime nëse këto të dhëna që janë publikuar janë të njëjta me ato që janë në portalin e Albania.

Prokuroria do hetojë nëse ky database është përdorur për fushatën elektorale për zgjedhjet e 25 prillit nga ana e Partisë Socialiste, dhe sot do merren kopje të të dhënave që disponon selia e PS.

Kujtojmë që një ditë më parë pas publikimit të këtyre të dhënave pati reagime edhe nga Partia Demokratike e cila paralajmëroi se do të ngrejë padi lidhur me këtë çështje.

Do të ishte kandidati për deputet, Enkelejd Alibeaj që thoshte se “në mënyrë të paprecedentë, në Selinë e PS janë vendosur kompjutera dhe servera që përgjojnë dhe përdorin të dhënat personale të qytetarëve”.

Ai theksoi se rasti do të ndiqet në mënyrë ligjore. “Përdorimi i databazës së e-Albania nga Edi Rama dhe zyrtarë të PS-së përbën vepër penale. Për këtë PD po përgatit një padi që do ta dorëzojë në SPAK.

Ky skandal i paprecendentë cenon rëndë privatësinë e çdo qytetari, që për të marrë shërbime nga shteti përdor portalin e-Albania. Përdorimi i të dhënave personale, numrit të kartës së identitetit, telefonit apo të dhënave të tjera personale nga Edi Rama dhe zyrtarë të PS është i dënueshëm dhe për të mbrojtur të drejtën e qytetarëve, PD do ta ndjekë hap pas hapi në rrugë ligjore këtë çështje”, tha Alibeaj.

Por nga ana e Qeverisë, do të ishte Taulant Balla i cili do të reagonte ndaj akuzave të opozitës duke theksuar se të dhënat “janë grumbulluar ndër vite nga puna në terren dhe kontaktet direkte”.

“O shpifësa të dëshpëruar! Partia Socialiste ka databazën e saj të të dhënave të krijuar me vite të tëra organizimi dhe komunikimi derë më derë me njerëzit. Quhet punë në terren kjo dhe bëhet me kontakte direkte jo me makina e me flamuj, prandaj prisni me qetësi 25 prillin dhe mos kujtoni se sa më shumë makina e zhurmë rrugëve aq më shumë vota në kutinë ku vendoset e ardhmja!”- theksonte Balla gjatë një reagimi në Facebook.


Shtuar 12.04.2021 11:59