Ashtu siç ishte paralajmëruar, para ministrisë së Arsimit, nxënësit e kolegjit turk “Mehmet Akif” kanë dalë në protestë, ku kërkojnë rishikimin e vendimit të qeverisë për mbylljen e shkollës ku ata studiojnë. Nga ministria e Arsimit, ata janë duke u zhvendosur drejt Kryeministrisë.
Kolegji “Mehmet Akif” ka rezultuar si gjimnazi më cilësor gjatë periudhës që ka ushtruar aktivitet në Shqipëri.
Ky është vendimi i dytë kundër këtyre shkollave gjatë ditëve të fundit.
Vetëm pak ditë më parë, Ministria e Arsimit urdhëroi mbylljen e një kopshti pjesë e kolegjeve “Turgut Ozal”.
Në vendimin e këshillit të ministrave bëhet me dije se institucioni arsimor ka për detyrim të pajisë çdo nxënës me dokumentacionin e nevojshëm shkollor që do të shërbejë për transferim në një institucion tjetër dhe të kthejë pagesat e kryera nga prindërit deri në muajin shtator.
Duket se qeveria shqiptare ka filluar të zbatojë kërkesat e Erdoganit në lidhje me shkollat turke këtu, duke mbyllur ato që janë të lidhura me Gylenin dhe hapjen e rrugës ndaj shkollave pjesë të rrymave të Islamit Politik të mbështetura nga Turqia.
Në vendimin e qeverisë nuk thuhet arsyeja e këtij vendimi. Prej vitesh në vendin tonë operojnë shumë biznese të në pronësi të shtetasve turkë, pjesë e lëvizjes gylene në Turqi. Mbyllja e këtyre objekteve ka qenë vazhdimisht kusht i presidentit turk Recep Tayyip Erdogan.