Policia Kufitare në Pogradec ka shpëtuar dy persona që kishin dalë në liqen me një pedalinë të marrë me qira. Pasi ishin futur në ujë për të notuar, ata nuk po arrinin të riktheheshin në breg, pasi njëri prej tyre, i lodhur, nuk mund të hipte sërish në mjet.
Gjatë patrullimit në sektorin liqenor, në zonën përballë vendit të quajtur “Ura”, efektivët konstatuan dy shtetas që po kërkonin ndihmë.
Të lidhura
None found
Shërbimet e Policisë Kufitare u afruan pa humbur kohë, i lokalizuan dhe u dhanë ndihmën e nevojshme, duke mundësuar kthimin e tyre të sigurt në breg.
Sipas njoftimit të policisë, ndërhyrja u krye me shpejtësi dhe profesionalizëm. Dy personat falënderuan efektivët për reagimin e menjëhershëm dhe ndihmën e ofruar.
Policia Kufitare deklaroi se vijon të jetë maksimalisht e angazhuar në shërbim të qytetarëve, vizitorëve dhe turistëve, ndërsa u bëri thirrje personave që ndodhen në nevojë të kontaktojnë numrin pa pagesë 112.
