I ftuar në ‘Abc e Pasdites’ me Ermal Peçin ishte stilisti i mirënjohur Joni Peçi. Ai foli mbi karrierën, modën në Shqipëri dhe familjen. Në segmentin e emisionit “1 jetë, 5 këngë”, Joni u emocionua dhe shpërtheu në lot teksa dëgjonte një melodi e fliste për familjen. Ai shprehu:
“Unë jam shumë i ndjeshëm. Nuk fle asnjëherë pa falenderuar Zotin, për çka më jep. Familja për mua është gjëja më e shenjtë, më jep frymëzim e forcë të qëndroj e të eci para në jetë. Është shumë hermetike dhe nuk lejoj dikë që të futet të ndërhyjë apo të flasë diçka. Është gjëja që më dhemb më shumë, shpesh herë cënohet familja në të gjithë qënien e saj. Shpresoj që njerëzit në rrjete sociale të jenë më pak agresiv sepse dëmtojnë familjen.”
Por si një njeri hermetik, që nuk lejon askënd të hyjë në personalen e tij, si janë planet e Jonit në aspektin dashuror? A e pyesin nëse do të martohet?
“Këtë gjë e dëgjoj shpesh. Të lidhësh jetën më dikë në kohët e sotme nuk është aq e kollajshme. Unë mendoj që çdo marrëdhënie shpirtërore lind vetë me kohën.”
Ndërkohë një tjetër temë e prekur në intervistën e thelluar mbi jetën e artistit, u fol edhe për modën në Shqipëri dhe për përfaqësimet e saj në arenën ndërkombëtare. Sipas Jonit sot po jetojmë modën e t-shirts.
“Frymëzimi nga plagjiatura janë vite larg. Frymëzohesh dhe nxjerr produktin, por të marrësh një veshje dhe ta bësh copy-paste, unë e quaj falimentim personal, të merrja djersën e dikujt dhe të thoja kjo është puna ime. Ose do e thoja që s’e kam bërë unë, t’i jepja të drejtat e plota autorit. Unë nuk bërtas me skandale. Në rast se do të bëhesh i famshëm sot, del nudo përpara kalit të Skënderbeut dhe ja… Kam gati 30 vite në këtë punë. Kam parë shumë njerëz që bëjnë bujë vitin e parë apo të dytën dhe më pas i kam gjetur mbrapa sportelit të një poste apo mbrapa banakut të një restoranti. Dmth nuk janë të destinuar të bëjnë art.”
Në fund të emisionit sqaruan edhe një pikëpyetje të madhe; mes ti dhe Ermalit nuk ka lidhje farefisnore ndonëse mbajnë të njëjtin mbiemër. Madje stilisti me shaka tha se do të hapë dosjet për ta vërtetuar këtë gjë.