Kreu i Prokurorisë së Posaçme, Arban Kraja, është shprehur se për Byronë Kombëtare të Hetimit do të duhet një godinë e re.
Komentet ai i bëri gjatë parashtrimit të kërkesave të institucionit që përfaqëson për ndarjen e buxhetit të vitit 2022.
BKH pritet të fillojë punën me kapacitet të plotë në muajin maj të vitit të ardhshëm dhe sipas Krasjës, duhet të akomodohen në goninë të re.
Ai tha se 28 hetuesit aktual po akomodohen në ish-ndërtesën e Krimeve të Rënda, por me mbërritjen e 32 hetuesve të rinj, sipas tij do të jetë e pamundur që të qëndrojnë aty të gjithë bashkë.
“Ne jemi të kënaqur në parim me atë që është paraqitur, por kemi dy probleme që duhet t’i shpreh këtu dhe duhet të marrin zgjidhje. Problemi i parë është nevoja e një ndërtese për Byronë Kombëtare të Hetimit. Byroja Kombëtare e Hetimit është një strukturë e ngritur në varësinë tonë që ka 60 hetues, shto drejtorin, plus dhe 20 administratë, është një numër goxha i madh.
Deri tani ne i kemi përfshirë në objektin që jemi përfshirë dhe ne në ish-ndërtesën e krimeve të rënda, e rikonstruktuar me kushte shumë të mira, por që nuk mjafton nga pikëpamja e kapaciteteve. Për momentin po përballohet sepse Byroja Kombëtare e Hetimit ka aktualisht 28 punonjës, procedura e dytë e përzgjedhjes do të përfundojë në dhjetor dhe do të bëjnë një lloj trajnimi 4-mujor dhe do të duhet që ata 32 të tjerët duhet të akomodohen. Aty është totalisht e pamundur. Me strukturat tona ekonomike bëmë një ide sa mund të kushtojë një objekt i ri në vija të përgjithshme, në KLP u hodh ideja që mund të gjejmë një ndërtesë të gatshme dhe që mund ta marrim. KLP i ka dërguar një letër Këshillit të Ministrave dhe Ministrisë së Drejtësisë, i ka ngritur këtë shqetësim dhe i ka propozuar disa objekte aty afër që mund të vendosen në dispozicion.
Ne jemi tërhequr nga kërkesa për fondin pasi mund të gjejmë zgjidhje me një objekt të gatshëm, por është një problematik që duhet të marrë zgjidhje deri vitin e ardhshëm dhe duhet të jetë në vëmendjen tuaj. Problemi i dytë ka të bëjë me shërbimet e policisë gjyqësore të Byrosë Kombëtare të Hetimit. Ligji parashikon që Byroja Kombëtare e Hetimit të ketë shërbimet e policisë gjyqësore. Që do të thotë duhet të ketë përfaqësues nga Policia e Shtetit të cilët rrinë në objektet ku ata janë, por paguhen nga Byroja Kombëtare e Hetimit. Kjo ka një problematikë në përcaktimin e numrit dhe të garës, ne kemi përcaktuar një numër prej 50 por na duhet fondi për të hapur garën.
Kjo bën që njëkohësisht të ketë fond në dispozicion dhe Policia e Shtetit dhe Prokuroria e Posaçme, por nuk e dimë kur do të përfundojë gara dhe në momentin që këta njerëz kur të mbarojnë afatin do të rikthehen përsëri në vendin ku ishin. Është një procedurë e ngatërruar, ministria e Financave na i ka dhënë fondet, ne jemi ok por risku është që mund të mos përdoret totalisht pasi i njëjti fond i është dhënë dhe policisë së Shtetit. Është problematikë e ligjit”, tha Kraja./albeu.com/