Menjëherë pas daljes nga SPAK, presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, në një konferencë për mediat, u shpreh se është thirrur në SPAK, me cilësinë e denoncuesit kryesor të RamaReformës.
Kreu I PL-së, e konsideroi SPAK si aleatin më të verbër të Edi Ramës, duke shtuar se Prokuroria Speciale nuk ka asnjë sukses.
Madje sipas Metës, SPAK përdoret nga Edi Rama ndaj atyre që Presidenti i PL-së i konsideroi si “limon të shtrydhur”.
Mes të tjerash, Meta e cilësoi Altin Dumanin, një provokator në shërbim të Edi Ramës.
“Kishte hallin e inceneratorit ai, nuk ka hallin që qytetarët e Tiranës po vidhen çdo ditë. Pse nuk heton Portin e Durrësit ky Dumani? Më pyet sot mua a e njeh ti Alberto Rançinin? I them çfarë është ky? Jo po ky të ka bërë dhuratë lule për ditëlindje”, tha Meta.
“Mbasi u firmos me 140 vota reforma në drejtësi, ata vazhduan lojën duke zgjedhur Arta Markun me 69 vota si Prokurore e Përgjithshme, më pas ajo zgodhi KLP siç ia kishte qejfi dhe më pas ata zgjodhën SPAK, që sot kontrollohet nga Edi Rama dhe Engjëll Agaçi, personazh kryesor edhe i reportazhit të RAI3.
Jam thirrur si denoncues i atij betimit te Lana, i asaj kandidates për gjykatëse në Gjykatën Kushtetuese. Kemi një Gjykatë Kushtetuese që sot ka dhënë 99% e vendimeve në favor të Qeverisë.
Jam thirrur si denoncues i planeve për ndarjen e Kosovës, duke mos i dekretuar Edi Ramës kandidatin e propozuar si ministër të Jashtëm.
Jam thirrur si denoncues i aferës së detit, që ka si protagonist kryesor Edi Ramën. I jam drejtuar deputetëve me një letër që të marrin përgjegjësitë që iu takojnë për një çështjes madhore.
Jam thirrur sepse kam denoncuar SPAK që nuk ka hetuar asnjë nga ato çështjet e krimeve zgjedhore. Është përgjegjësi e SPAK që të hetonte edhe atë vrasjen e ndodhur në Elbasan.
Kam çuar në SPAK të gjithë ligjet me porosi që ka bërë Edi Rama dhe SPAK nuk ka bërë asnjë hetim ndaj tyre.
Jam thirrur në SPAK pasi kam denoncuar falsifikimin e firmës së Kryetarit të Kuvendit, në atë rastin për hetimin e Presidentit.
Jam thirrur se kam denoncuar aferën e inceneratorëve, që me lekët e tyre, Edi Rama bleu zgjedhjet”, u shpreh Ilir Meta.
Ai u shpreh se pikërisht për këto arsye është thirrur sot në SPAK, duke shtuar se një tjetër arsye është fakti se është kryetar i PL-së, një parti që shpëtoi pluralizimin në Shqipëri.
“Kemi një narko-shtet dhe një narko-drejtësi. Nuk kam pasur asnjë besim te SPAK, sepse SPAK që kur u krijua u krijua në mënyrë të paligjshme”, tha Ilir Meta.
Ai tha se SPAK ka gjymtuar hetimet për çdo denoncim që ka bërë opozita, duke nisur nga inceneratorët te dalja e të dhënave të qytetarëve, ku në vend që të hetonte ata që nxorën të dhënat, u mor me gazetarët.