809 gjoba janë vendosur ditën e sotme nga policia për shkak të thyerjes së rregullave anti-COVID.
709 prej tyre janë këmbësorë konstatuar pa maskë, ndërkohë që pjesa tjetër kanë qenë brenda makinave por jo me pjestarë të familjes.
Policia e Shtetit
Ndëshkohen me masë administrative 809 shtetas që nuk zbatuan masat anticovid, gjatë 24 orëve të fundit.
Strukturat e Policisë, krahas përmbushjes së detyrave funksionale për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë, vijojnë kontrollet në të gjithë vendin, për të monitoruar zbatimin e masave për parandalimin e përhapjes së COVID-19.
Gjatë 24 orëve të fundit, Patrullat e Përgjithshme kanë evidentuar dhe ndëshkuar me masë administrative 3.000 lekë, 709 shtetas që janë konstatuar pa maskat mbrojtëse.
Shërbimet e Policisë Rrugore kanë ndëshkuar me të njëjtën masë administrative, 91 shtetas që udhëtonin në mjete private me persona me të cilët nuk kishin lidhje familjare apo në mjetet e transportit publik, pa vendosur maskat mbrojtëse.
Gjatë kontrolleve në subjekte të ndryshme, shërbimet e Policisë kanë konstatuar 3 subjekte që ushtronte aktivitetin në kundërshtim me protokollet e sigurisë. Për administratorin e secilit subjekt është vendosur masa administrative 1.000.000 lekë.
Gjithashtu janë ndëshkuar me masë administrative 10.000 lekë, 6 shtetas që janë konstatuar duke lëvizur në këmbë pas orës 20:00.
Në zbatim të masave anticovid, Policia e Shtetit apelon për të gjithë qytetarët dhe drejtuesit e mjeteve që të respektojnë orën policore, të vendosin maskën dhe të ruajnë distancimin social, ndërsa subjektet tregtare, lokalet dhe restorantet të respektojnë protokollet e sigurisë dhe orarin e mbylljes, me qëllim parandalimin e përhapjes së COVID-19.