Korporata Elektroenergjetike Shqiptare (KESH) do të kërkojë në gjykatat sllovake ekzekutimin e garancive për një kompani me seli në këtë shtet e cila nuk ka shlyer detyrimin për një sasi energjie të blerë pranë kompanisë publike shqiptare.
Avokatura e Shtetit tashmë është vënë në lëvizje për të gjetur një studio ligjore e cila do të përfaqësojë palën shqiptare në këtë përballje.
Pas interesimit të “Monitor” KESH dha detaje mbi situatën duke u ndalur konkretisht në çështjen gjyqësorë si dhe kompaninë debitore.
“KESH sh.a. ka përcjellë për ndjekje ligjore nga ana e Avokaturës së Shtetit, një praktikë për vënien në ekzekutim të garancive për përmbushjen e detyrimeve (pagesë e plotë e energjisë së blerë) që rrjedhin nga kontratë për shitblerjen e energjisë elektrike me blerës (debitor) shoqërinë Network for Trading doo.
Shoqëria debitore e cila është edhe garantor i detyrimit te blerësit te energjisë është shoqëria LE Trading AS e cila ka selinë e saj ne Sllovaki” thuhet në reagimin e KESH.
Nga ana tjetër Avokatura e Shtetit ka qartësuar se kërkesa për një përfaqësues ligjor vjen si pjesë e ligjit themelor të saj si dhe vendimit të qeverisë nr.893, datë 18.11.2020 “Për përcaktimin e procedurave dhe të kritereve për kontraktimin e pagesën e avokatëve/studiove të avokatisë, ekspertëve apo shërbimeve të tjera ndihmëse dhe mënyra e pagesës”.
Pas ngritjes së një komisioni të posaçëm për këtë çështje është bërë edhe njoftimi për shërbimin e kërkuar ku sipas avokaturës në objekti të kontratës është “përfaqësimi dhe mbrojtja e interesave të Koorporatës Elektroenergjitike Shqiptare (në vijim KESH SH.A.), në mënyrën më të mirë të mundshme profesionale, dhe për më të mirën e interesit të tij, për përftimin/vjeljen e Garancisë së një shoqërie tregtare, lëshuar për llogari të një shoqërie të kontrolluar prej saj, përpara gjykatave kompetente të Sllovakisë, në Bratislavë”.
Ofertat nga palët e interesuara Avokatura ka njoftuar se do t’i presë deri më datë 8 prill./Monitor