KESH ble rreth 1.5 milionë euro energji për një ditë, çmimet në bursë në rënie

Korporata Elektroenergjetike Shqiptare (KESH) përfundoi procedurën e fundit të blerjes së energjisë për datën 9 shtator (e premte) për të cilën shpenzoi rreth 1.5 milionë euro.

Bëhet fjalë për 3084 MWH energji me një çmim mesatar prej 476.77 euro/MWh. Sasia e blerë është afërsisht 15 për qind e konsumit mesatar ditor.

Ndërkohë tashmë në faqen e KESH është aktivizuar procedura e re e cila kërkon 12 mijë MWh energji për dy ditë 10 dhe 11 shtator.

Në total importet e Korporatës nga fillimi vitit deri më tani kanë kaluar 300 milionë euro. Qeveria llogarit që deri në fund të vitit pavarësisht luhatjeve të çmimeve në bursë të ketë nevojë edhe për rreth 200 milionë euro si të mjaftueshme për të përballuar kërkesën në një kohë kur prodhimi në kaskadë kufizohet për shkak të mungesës së reshjeve.

Në Bursën e Hungarisë që është referencë edhe për Shqipërinë çmimet e energjisë kanë pësuar një ulje të ndjeshme në raport me një javë më parë kur arritën kulmin dhe një MWh u shit me 1047 euro duke e bërë situatën alarmante.

Rënia e kërkesës për shkak të këtij niveli kombinuar edhe më rënien e çmimit të naftës duket se kanë ndikuar për një ulje graduale që gjatë kësaj jave ka zbritur çmimet mes 350-500 euro/MWh.

Konkretisht çmimi për datën 8 shtator në bazë ishte 481 euro/MWh ndërkohë që në pik ishte 499 euro/ MWh. Për datën 9 shtator në bazë 1 MWh energji u shit për 384 euro/MWh. Zakonisht në fundjavë për shkak të rënies së kërkesës në bursa ka një ulje të mëtejshme të çmimeve por për shkak të situatës së këtyre muajve kjo tendencë me raste është përmbysur. Mbetet për t’u parë se cili do të jetë çmimi për fundjavë.

Ndërkohë KESH ka vijuar gjatë kësaj kohe edhe me procedura optimizimi në një tentativë për të pasur një amortizim të kostove në portofolin e tij ekonomik. Situata në kaskadë mbetet e paqartë teksa rifreskimi i fundit i të dhënave është bërë në datën 28 gusht kur rezerva energjetike ra në 541 Gwh.

Situata energjetike në vend vijon të mbetet kryefjalë teksa një ditë më parë qeveria shpalosi planin e saj ku përveç kursimit do të ketë edhe rishikim të çmimit për ata që konsumojnë në fashën mbi 800 KWh. Këta të fundit do të paguajnë me 9.5 lekë 800 KWh dhe çdo KWh mbi këtë vlerë me një tarifë 42 lekë që përfshin 35 lekë koston e energjisë dhe 7 lekë tarifë transmetimi dhe shpërndarjeje./MONITOR

Shtuar 9.09.2022 07:10