Situate në Afganistan pas marrjes së pushtetit nga talebanët duket mjaft e trazuar dhe aspak e qëndrueshme.
Disa persona që janë mbështetës të talebanëve, shihen të gëzuar për triumfin, e të tjerë shihen teksa largohen me shpejtësi për të shpëtuar kokat e tyre.
Kjo është situata aktuale në Kabul, kryeqytetin e Afganistanit, ku talebanët kanë marrë në kontroll shtetin. Ata shihen në të gjithë hapësirat e kryeqytetit prej 6 milionë banorësh, me armë në duar dhe të gatshëm për të ekzekutuar gjithkënd që i ndalon në rrugën e tyre për pushtet.
Në pamjet e sjella nga BBC shihen rrugë të zbrazura, dyqane me dyer të mbyllura dhe pak trafik. Makinat e vetme që patrullojnë janë ato të talebanëve. Nuk është situatë e njëjtë pak më tutje, në aeroportin e Kabulit, ku qytetarët shtyhen dhe grinden mes njëri-tjetrit për të zënë një vend në fluturim, e për t’u larguar zemërthyer nga vendi.
Aktualisht atje ndodhen rreth 2.500 forca amerikane, që po përshpejtojnë lëvizjen e njerëzve dhe menaxhojnë këtë proces. Qytetarëve që u rrezikohet jeta në shtetin islamik, do të strehohen përkohësisht në Evropë. Ndër vendet që kanë pranuar ardhjen e tyre janë Shqipëria, Kosova, Franca dhe Italia.
Ata pritet të qëndrojnë disa kohë në këto vende për t’u vendosur përfundimisht në SHBA./albeu.com/