Protestat që kanë përfshirë Shqipërinë nuk u ndezën nga një program politik apo nga një fjalim i organizuar. Shkëndija ishte një pamje e filmuar në maj në fshatin bregdetar jugor të Zvërnecit, një protestues paqësor u tërhoq zvarrë nga roje private sigurie, ndërsa punonjësit e policisë qëndronin mënjanë dhe makineritë nisnin punën për ndërtimin e një resorti luksoz, të mbështetur nga vajza dhe dhëndri i Trump-it, Ivanka dhe Jared Kushner, si dhe nga qeveria shqiptare.
Ndërtimi parashikon shndërrimin e një zone bregdetare me rëndësi të veçantë dhe të ndjeshme ekologjikisht, ku folezojnë flamingot, në një destinacion argëtimi për të pasurit e botës. Projekti ka prekur një nerv të fortë të shoqërisë shqiptare, në një vend ku shumica përballet me të ardhura të ulëta, ndërsa një pakicë e privilegjuar duket se pasurohet gjithnjë e më shumë.
Të lidhura
None found
Edhe dokumentet e pronësisë mbi tokën janë objekt mosmarrëveshjeje. Pretendimet e mbivendosura për pronat janë të zakonshme në Shqipëri. Personi që pretendon se është pronari i saj është akuzuar për falsifikim të dokumenteve të pronësisë dhe po hetohet nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për pastrim parash dhe trafik ndërkombëtar kokaine.
Për shumë shqiptarë, ajo që ndodhi në Zvërnec ishte një përmbledhje e asaj që kishte ndodhur prej vitesh: gardhe që bllokojnë plazhet, pamundësi për të hyrë në det, persona të lidhur me krimin e organizuar që shfaqen si ndërmjetës të pushtetit dhe oligarkëve, si dhe betonizimi i vijës bregdetare. Kjo pakënaqësi është ushqyer veçanërisht nga ndërtimet në Tiranë dhe përgjatë bregdetit. Për qytetarët, këto nuk janë koncepte abstrakte, por përvoja të përditshme që nuk kërkojnë shpjegim ideologjik.
Pas kësaj, pakënaqësia e akumuluar shpërtheu në një zinxhir reagimesh. Për tre muaj radhazi, mijëra shqiptarë kanë protestuar çdo ditë, edhe nën një valë të fortë të nxehti, duke kërkuar më shumë llogaridhënie dhe një fund për korrupsionin. Në këtë përpjekje janë përfshirë edhe shqiptarët që jetojnë jashtë vendit, të cilët përbëjnë rreth një të tretën e popullsisë.
Lëvizja shpreh një kundërshtim të krijuar ndër vite ndaj një modeli grabitqar të kapitalizmit, i cili zhvillohet duke konsumuar trashëgiminë e brezave të kaluar dhe duke cenuar mundësitë e brezave që do të vijnë. Në këtë kuptim, projekti i Zvërnecit është njëkohësisht kufiri i durimit dhe një pasqyrë e mënyrës se si shumë shqiptarë e shohin qeverisjen e vendit.
Zemërimi i shkaktuar prej tij ka nxitur një diskutim të gjerë për të ardhmen e Shqipërisë: për modelin e zhvillimit, mënyrën e marrjes së vendimeve dhe pyetjen nëse pushteti vepron realisht në interes të qytetarëve.
Ngjarjet mund të shënojnë një pikë kthese në historinë e Shqipërisë, të krahasueshme me rënien e komunizmit dhe me shembjen e kontrollit të tij mbi politikën, kulturën dhe jetën e përditshme. Shumë prej atyre që drejtojnë protestat e përditshme kanë lindur pas vitit 1990. Ata nuk janë formuar nën frikën dhe refleksin e epokës komuniste, por në një Shqipëri të hapur, ku kanë udhëtuar, kanë studiuar dhe kanë ndërtuar lidhje me Europën dhe pjesën tjetër të botës.
Këta të rinj nuk e gjykojnë Shqipërinë vetëm në raport me të kaluarën. Ata e matin atë me potencialin që besojnë se vendi mund të realizojë.
Programi i tyre nuk është radikal dhe as i mbështetur në një ideologji. Ata kërkojnë një demokraci që funksionon, drejtues që e konsiderojnë veten shërbëtorë të qytetarëve, institucione të besueshme, vendimmarrje të hapur dhe zbatim të barabartë të ligjit. Po ashtu, kërkojnë që pasuritë publike të administrohen në të mirë të shumicës, jo të një grupi të privilegjuar.
Qeveria ende nuk u është përgjigjur kërkesave të protestuesve dhe nuk ka mundur ta ndalë lëvizjen. Reagimi i saj mund të interpretohet si një tërheqje, por po aq lehtë mund të shihet edhe si teatër politik. Në qershor, protestuesit u përshkruan si pjesë e një manipulimi të luftës hibride, si “proletariat algoritmik” ose si njerëz të shtyrë nga armiqësia e thjeshtë.
Në korrik, qeveria ndryshoi qasje, pa e mohuar tërësisht narrativën e mëparshme. Ajo pranoi vetëm një pjesë të diagnozës dhe ofroi një përgjigje po aq të pjesshme. Përpjekja për të përdorur gjuhën e protestës, pa hequr dorë nga projekti dhe pa rishikuar modelin e zhvillimit që e prodhoi këtë pakënaqësi, nuk pati sukses.
Është po aq e rëndësishme të përcaktohet se çfarë nuk përfaqësojnë këto demonstrata. Pavarësisht vëmendjes së madhe ndaj familjes Trump dhe resortit, protestat nuk janë kundër investimeve të huaja dhe as kundër një resorti luksoz si të tillë.
Bëhet fjalë për një revoltë qytetare pa drejtues të vetëm, e orientuar kundër mënyrës se si ushtrohet pushteti, si dhe për një paralajmërim të qartë se zemërimi i publikut nuk mund të injorohet më.
Shqipëria vijon të jetë ndoshta shoqëria më pro-amerikane në Europë. Ky qëndrim është formuar nga dekada miqësie dhe mirënjohjeje ndaj Shteteve të Bashkuara, si dhe nga përkushtimi i fortë ndaj aleancës euroatlantike. Shqiptarët e kuptojnë se investimet e huaja, turizmi dhe iniciativa private janë të domosdoshme për rritjen ekonomike.
Debati lidhet me kushtet në të cilat duhet të ndodhë ky zhvillim: transparenca, llogaridhënia dhe besimi i qytetarëve. Këto parime nuk e pengojnë investimin e huaj; në planin afatgjatë, ato përbëjnë ndër garancitë më të rëndësishme për suksesin e tij.
Flamingoja, e kthyer në simbol të protestave, përfaqëson vetëm një pjesë të një shqetësimi shumë më të madh. Lëvizja shpreh bindjen se trashëgimia natyrore, institucionet publike dhe e ardhmja e Shqipërisë duhet të administrohen me përgjegjësi.
Për herë të parë, shqiptarët duket se po e formësojnë debatin kombëtar pa pritur që partitë politike të marrin drejtimin. Historia e demokracive tregon se ajo nuk mbështetet vetëm te zgjedhjet, por edhe te angazhimi aktiv i qytetarëve në periudhën mes tyre.
Ajo që po ndodh në Shqipëri nuk është vetëm një çështje e brendshme dhe duhet parë në lidhje më të ngushtë me procesin e integrimit europian. Për vite me radhë, rruga e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE është vlerësuar përmes shqetësimeve që lidhen me shtetin e së drejtës, korrupsionin, kapjen oligarkike të shtetit, krimin e organizuar dhe dobësinë e institucioneve.
Pikërisht në këto fusha protestuesit po kërkojnë ndryshim. Ata po veprojnë si qytetarë të përgjegjshëm të një demokracie. Për këtë arsye, heshtja institucionale e BE-së duhet të zëvendësohet me një mbikëqyrje të rreptë, por të drejtë, e cila ta mbështesë shoqërinë shqiptare në përmbushjen e standardeve europiane.
Që prej rënies së komunizmit në vitin 1990, Shqipëria ka shënuar përparim të jashtëzakonshëm. Ajo është bërë pjesë e NATO-s, ka thelluar partneritetin me Shtetet e Bashkuara, ka luajtur rolin e një spirance stabiliteti në Europën Juglindore dhe është afruar vazhdimisht me Bashkimin Europian.
Suksesi i fazës së ardhshme do të varet nga një kusht tjetër: rritja ekonomike duhet të ecë së bashku me institucione që gëzojnë besimin e publikut dhe me një kulturë politike që e pranon llogaridhënien, në vend që ta shohë atë si kërcënim.
Nga; Ditmir Bushati
