Një mijë euro, arkë me peshk e telefon! Detaje nga dosja e ish-zv.ministres: Do t’a rregulloj specialiste

Janë zbardhur detaje të reja nga dosja e SPAK për ish-zv.ministren e Brendshme Rovena Voda, ndaj të cilës u vendos dje arrest për akuzën e “Ushtrimit të ndikimit të paligjshëm”.

Dyshohet se ajo ka marrë ryshfet nga dy shtetase, Florida Beu dhe Majlinda Hasani kundrejt emërimeve të tyre në detyrë.
Një hetim i nisur ka nisur në 2019-ën për një tjetër çështje ku ka rënë në përgjim avokatja Majlinda Hasani, e cila ushtron profesionin në Durrës. Në 13 shkurt 2020 avokatja, Florida Beu dhe Rovena Voda zhvillojnë një takim.

Mësohet se Beu i ka kërkuar që ta favorizojë për tu punësuar. Voda i ka thënë që se bën dot shefe, por mund ta bëj specialiste diku. Rovena Voda ka telefonuar dike në Departamentin e Administratës Publike, duke i thënë se do e rregulloj specialiste.

Majlinda ka folur me Floridën dhe sipas prokurorisë i kanë dhënë shumën prej 1 mijë eurosh të futur në një zarf.

Pas këtij momenti, Florida i thotë Majlindës më ngeli mendja mos duheshin më shumë para. Se të paktën të na fuste në një vend të mirë.
Pas këtij momenti Majlinda dëgjohet duke thënë se leku e hedh ujin përpjete, e se tani Rovena na përgjigjet menjëherë.

Në 28 shkurt 2020, tre gratë janë takuar në Ministri dhe Florida Beu, ka aplikuar në 11 vende punë të hapura në Ministri. Florida ka telefonuar nënën e saj dhe i ka thënë “me lekët që do më sjell Gerti do i jap diçka asaj Rovenës që e ndjej si detyrim”

Takimi tretë është filmuar dhe është zhvilluar në Portin e Durrësit, ku ka marrë si dhuratë edhe një arkë peshk. Nga ana tjetër dyshohet sipas SPAK që Rovena ka marr dhe një aparat telefon.

Sipas verifimimeve, Florida Beu, nuk u shpall fituese në asnjë nga vendet ku aplikoi.


Shtuar 14.07.2021 14:21