Një tjetër pasagjer që ka qenë në autobusin që u rrëzua në Kroaci ka dëshmuar në lidhje me ngjarjen.
Media kroate “Jutarnji List” ka zbardhur dëshminë e Ramë Gashit, i cili ka rrëfuer momentet para tmerrit dhe sesi e ka përjetuar gjithë aksidentin.
“Udhëtimi ishte i këndshëm, madje argëtues, dhe ne ramë në gjumë vetëm rreth orës 05:00, sepse ishin disa të rinj që kënduan dhe u gëzuan gjithë natën. Sapo kisha fjetur dhe papritmas dëgjova si disa të shtëna që më zgjuan. Për një sekondë gjithçka u kthye në tmerr. Sapo pashë veten duke fluturuar poshtë, sendet po binin mbi ne, ulëset ishin thyer, njerëzit po shtrëngonin duart e tyre, unë papritmas kuptova se një grua poshtë meje kishte vdekur. Pastaj po kërkoja gruan time dhe kur e gjeta dola dhe ndihmova të tjerët. Sepse isha mirë fizikisht dhe shpejt e kalova tronditjen fillestare, duke u ardhur në ndihmë të tjerëve”, tregon ai.
Ata po vinin nga Mannheim për në Mitrovicë, me pushime.
“Unë as që doja të shkoja, por ajo më tha se do të merrnim autobusin. Doja me avion, sepse fluturimi ynë nga Shtutgarti në Prishtinë do të zgjaste 1 orë e gjysmë, por ajo këmbënguli që të shkonim me autobus. Këtë nuk do ta harroj kurrë”, shprehet ai.
Kujtojmë se nga aksidenti dje kanë humbur jetën 10 persona ndërsa mbi 40 të tjerë janë lënduar dhe po marrin ndihmë mjekësore në Kroaci./albeu.com