Një gjeneral i Gardës iraniane raportohet se është vrarë në Siri

Mediat iraniane kanë raportuar se gjenerali Abolfazl Alijani, një komandant i lart i Gardës Revolucionare Islamike të Iranit, është vrarë në Siri.

Më 23 gusht, agjencia e lajmeve DEFA Press tha se ky komandant ishte “mbrojtës i faltores”, një referencë për iranianët që punojnë në emër të Iranit në Siri apo Irak. Kjo media nuk dha më shumë detaje se në cilin sulm është vrarë ky komandant.

Alijani ishte komandant rajonal i forcave tokësore të Gardës Revolucionare të qytetit Isfahan.

Sipas medias iraniane që është e lidhur me opozitën në vend, Iran International, Alijani u vra teksa po shërbente si “këshilltar ushtarak” në Siri.

Irani i ka ofruar ndihmë ushtarake forcave të presidentit sirian, Bashar al-Assad që nga viti 2012. Kjo ndihmë ka qenë në formë të këshillimeve ushtarake dhe vullnetarëve, por Irani mohon se dërgon trupa në Siri.

Pavarësisht kësaj, mediat iraniane kanë raportuar për vdekjen e disa komandantëve iranianë, por edhe të qindra luftëtarëve iranianë.

Garda Revolucionare Islamike është një organizatë e fuqishme e sigurisë dhe ushtrisë, që po ashtu raportohet se kontrollon 40 për qind të ekonomisë iraniane./REL


Shtuar 23.08.2022 20:33