Vaksinimi anti-Covid ka nisur edhe në institucionet e vuajtjes së dënimit. Dozat e para janë dërguar në IEVP “Jordan Misja” për kategoritë e të burgosurve me sëmundje kronike dhe atyre mbi 55 vjeç dhe në IEVP “Ali Demi” për gratë e dënuara.
Lajmin e bëri me dije ministrja e Drejtësisë përmes një postimi në rrjetet sociale ku shkruan se procesi do të vijojë “për të mundësuar edhe më tej lehtësimin e masave për t’iu kthyer normalitetit në institucione”.
Postimi i ministres Etilda Gjonaj
? Një lajm i mirë për sistemin penitenciar. ?
Me mbështetjen e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe strukturat e saj shëndetësore filloi vaksinimi kundër COVID-19 të personave të dënuar.
Vaksinimi ka filluar në IEVP “Jordan Misja” për kategoritë e të burgosurve me sëmundje kronike dhe atyre mbi 55 vjeç dhe në IEVP “Ali Demi” për gratë e dënuara.
Ky proces i sapofilluar pas vaksinimit të trupës policore, do të vijojë për të mundësuar edhe më tej lehtësimin e masave për t’iu kthyer normalitetit në institucione.