Nis dezinsektimi në Shëngjin, Manastirliu: Do kemi një sezon turistik më të sigurt (VIDEO)

Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu ditën e sotme ka monitoruar nga afër procesin e dezinsektimit në Shëngjin, ku bëri me dije se do të kemi një sezon turistik të sigurt.

“Kemi filluar tashmë prej disa javësh me monitorimin e zonave, por edhe ka filluar procesi i dezinsektimit nga Shkodra, në Lezhë, Tiranë, Durrës dhe duke zbritur në Kavajë, në Vlorë edhe deri në Sarandë, për të parandaluar dhe për të kontrolluar sëmundjet infektive që vijnë nga mushkonjat.
Manastirliu bëri me dije se procesi i dezinsektimit do të vijojë gjatë gjithë verës.

“Janë vlerësuar habitatet dhe përcaktimi i lëndëve biocide që përdoren dhe vijon dezinsektimi i këtyre zonave, ashtu sikurse ka filluar, edhe përgjatë gjithë verës, deri në muajin tetor, që është planifikuar të kryhet ky proces”, tha Manastirliu.
Ndërkohë e shoqëruar edhe nga drejtoresha e Insitutitit të Shëndetit Publik, Albana Fico tha se në këtë proces po përdoren lëndë që nuk cenojnë habitatin natyror dhe është përfshirë një sipërfaqe e konsiderueshme.

“Është dhe një volum shumë i madh pune, kryhet në rreth 4 mijë hektarë gjatë kësaj periudhe dhe së dyti nuk duhet të harrojmë që duhet kombinuar me rregulla higjeno-sanitare përgjatë vijave bregdetare nga bizneset dhe nga qytetarët. Duhet thënë që lëndët që ne përdorim nuk e cënojnë ambientin, pra e ruajnë ambientin, habitatin. Sepse është shumë e rëndësishme që jo vetëm të luftojmë mushkonjat, por të mos dëmtojmë speciet e tjera, të cilat janë pjesë e këtij habitati”, theksoi Fico.

Programi i dezinsektimit (për parandalimin e sëmundjeve të transmetuesshme nga mushkonjat) po vijon në të gjitha zonat e përcaktuara nga ekspertët e shëndetit publik. Zonat e njohura për këto trajtime, nga Velipoja në Parkun Kombëtar të Butrintit, përfshirë dhe zona urbane si Tirana, Divjaka etj, përbëjnë një sipërfaqe rreth 4000 ha.
 

 


Shtuar 1.06.2021 18:46