Edith Harxhi me premtime: Nëse më votoni, do ta hap PD-në si Berisha

Edith Harxhi, kandidate për kryetare të PD në zgjedhjet e qershorit, u shpreh sot se nëse do të zgjidhet në krye të PD-së në zgjedhjet e 13 Qershorit do të hapë partinë duke marrë shembullin e Berishës në 2005, që riktheu të djathtën në pushtet.

“Do të doja që PD të kishte një zonjë në krye, por sido që të ndodhë do të më keni në këtë shtëpi deri kur të kem frymën e fundit dhe jo në një parti tjetër.

Kush ka mundësi të kthehet që është i djathtë të kthehet në këtë shtëpi. Gjithçka të zgjidhet me votë, edhe ata që kthehen të futen në votëbesim. Sikur e bëri Berisha në 2005, të hapen partia duke lënë të gjitha hatërmbetjet. Bashkim pa pasur paragjykim për ndasi, përveç të majtës. Duhet qarkullim elitash” tha ajo.

Hapja e listave dhe Kodi Zgjedhor ishte një tjetër pikë që preku Harxhi në takimin me gratë. “Kurdo të bëhet kodi i ri zgjedhor duhet të synojmë hapjen e listave.

Nuk bëhet më me numra, por individi ka emër. Por edhe në atë listë nuk mund të përcaktohet renditja në bazë të kryesisë, por nga anëtarësia. Ne po të kthim insistuar mjaftueshëm mund të kishim një mazhoritar kombëtar, me pak kombëtar, përballje direkte e cdo kandidati në terren” tha ajo.

Gjatë takimit një grua kujtoi me lot vuajtjet në sistemim komunist dhe kërkoi nga Harxhi që të ulen gjakrat brenda PD-së. “Unë jam demokrate. Ulni gjakrat.

Nuk duam më sharje. Boll na ikën” tha ajo. “Unë dhe Basha kemi qenë miqtë më të mirë, në parti e dinë mirësinë time me Bashën, por kjo është cështje partie. Mos mendoni se do të bëja një përballje personale kundër Bashës dhe askujt” tha ajo.

Në garë për postin e kryetarit të PD-së janë Lulzim Basha, Edith Harxhi, Fatbardh Kadilli dhe Agron Shehaj, ndërsa zgjedhjet do të zhvillohen në 13 qershor.


Shtuar 1.06.2021 18:38