Në kulmin e polemikave për shkatërrimin e Portit ekzistues tregtar të Durrësit dhe pasigurisë për ndërtimin e portit të ri, qeveria zhvilloi një aktivitet ku paraqiti përmes grafikëve 3d projektin e Portit të ri në Porto Romano të hartuar nga kompania hollandeze Royal Haskonig.
“Ne do të jemi të gatshëm të publikojmë garën ndërkombëtare për të gjitha kompanitë në fund të janarit ndërkohë që procesi do të mbyllet në korrik 2023”, tha zëvendës kryeministrja Belinda Balluku, gjatë prezantimit të projektit në dhjetor të vitit të kaluar.
Pak ditë para prezantimit të projektit, drejtori i Autoritetit Portual, Pirro Vengu, u shfaq në emisionin “Pa Censurë” të gazetares Elona Meço ku sqaroi skemën e financimit se si do të përballohej ndërtimi i portit të ri tregtar në Porto Romano.
“Mund t’ju jap një vlerë paraprake që fillon nga 320-440 milionë euro për fazën e parë. Është kosto që do të përballohet nga të ardhurat që gjenerohen përmes këtij projekti dhe Autoritetit Portual, jo buxhetit të shtetit,” tha kreu i APD.
Janari iku. Tenderi i zëvendëskryeministres për ndërtimin e portit të ri që do të hapej në janar përfundoi në kosh. Tani Pirro Vengu, i cili gjashtë muaj më parë deklaronte se ndërtimin e portit do ta financojë APD, po kërkon të fusë buxhetin e shtetit në aventura të rrezikshme.
Oligarkia.al ka mësuar se Autoriteti Portual i Durrësit i ka kërkuar Ministrisë së Financave të lëshojë garanci sovrane mbi 200 milionë euro për të financuar ndërtimin e portit të ri në Porto Romano. Kjo kërkesë do të implikojë buxhetin e shtetit drejtëpërdrejtë në aferën e Portit të Durrësit.
Garancia sovrane është një instrument përmes të cilit qeveria garanton kreditë e ndërmarrjeve publike. Në rast mospagimit të kredisë nga ndërmarrja, në rastin konkret Autoritetit Portual, garancia shndërrohet automatikisht në borxh publik, pasi detyrimi për të paguar kredinë i kalon qeverisë.
S’ka para dhe s’ka port të ri
Preventivi fillestar i paraqitur nga qeveria parashikon se ndërtimi i portit të ri në Porto Romano do të kërkojë vetëm në fazën e parë 390 milionë euro pa TVSH. Plani është që ky projekt të financohet përmes një skeme të përzierë koncesionare, ku 46% e financimit do të sigurohet nga qeveria dhe 54% nga kompania që do të shpallej fituese.”
E përkthyer në shifra kjo do të thotë se buxheti do të financojë 180 milionë euro ndërsa kompania koncesionare 210 milionë eurot e tjera. Tani Autoriteti Portual po i kërkon qeverisë që të financojë 180 milionë eurot drejtëpërdrejtë nga buxheti dhe të lëshojë garanci sovrane që privati të marrë kredi 210 milionë euro në banka. Sepse asnjë kompani private nuk pranon të marrë përsipër ndërtimin e portit pa garanci nga buxheti. Me pak fjalë, i gjithë risku i financimit kalohet tek paratë e taksapaguesve. Por para nuk ka.
Buxheti i shtetit nuk ka hapësirë për të lëshuar garanci sovrane për shkak se ligji organik e detyron qeverinë që nga viti në vit borxhi publik ndaj Prodhimit Kombëtar të ulet. Ndryshe nga sa zotohej Pirro Vengu para 6 muajsh, Autoriteti Portual nuk ka fuqi financiare për ta ndërtuar portin vet. Ndaj projekti i portit të ri tregtar në Porto Romano ka hyrë në kalendat greke.
Aventura e rrezikshme që po lë Durrësin pa port
Pak ditë më parë, Këshilli Kombëtar i Territorit miratoi lejen e zhvillimit për projektin Portit Turistik që do të do ndërtojë kompania arabe Eagle Hills në vendin ku sot është Porti tregtar i Durrësit.
Por teksa Alabbar avancon me projektin e tij, së shpejti do t’i vijë radha çmontimit të portit tregtar të Durrësit. Ndërkohë që ndërtimi i portit të ri në Porto Romano tashmë duket një mision i pamundur. Të paktën në afatshkurtër.
Kjo është aventura që po e lë Durrësin, qytetin që të gjithë historinë e tij e mijëra vjeçare e ka të lidhur me portin, pa port. Dhe aktivitetit portuale do të zhvendosen pjesërisht tek porti privat i Kastratit në Porto Romano, i cili është projektuar për port nafte dhe nuk ka kapacitet të përballojë fluksin tregtar që hyn përmes Portit të Durrësit. Një aventurë me pasoja të tmerrshme për ekonominë. /Oligarkia.al