Java që po lëmë pas, ka shënjuar ngjarje të rëndësishme të cilat kanë sjellë shumë reagime në publik. Albeu.com më poshtë do t’ju sjellë disa nga zhvillimet më të rëndësishme të kësaj jave.
Vdekja e mistershme e Laer Kurtit
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e 19 tetorit në Tiranë, ku 32-vjeçari Lear Kurti ka ndërruar jetë pasi është shoqëruar nga patrulla në Komisariatin nr 3. Fillimisht AMP njoftoi se e riu pasi ka mbërritur në komisariat nuk është ndjerë mirë dhe më pas është dërguar në Spitalin e Traumës ku edhe ka ndërruar jetë. Por sipas raportimeve nga “Trauma” mësohet se Kurti ka mbërritur pa shenja jete në spital. Raportimet e ndryshme në lidhje me këtë ngjarje, shtuan misterin sesi ka ndodhur vdekja e të riut, e cila ka shkaktuar reagim publik dhe humbjen e besimit te policia. Sipas ekspertizës, shkak i vdekjes të Kurtit është arrest kardiak i shkaktuar nga overdoza, pasi thuhet se ai ka gëlltitur një qese kokaine që posedonte, për të mos ia gjetur policia. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku njoftoi një ditë pas ngjarjes se punonjësit e policisë së patrullës që bënë ndalimin e Lear Kurtit, janë të pezulluar nga detyra deri në përfundim të hetimeve. Nga ana tjetër, në arenën politike, kreu i PD-së Sali Berisha ka quajtur vrasës policët që e shoqëronin, ndërsa kryeministri Edi Rama i është përgjigjur duke i cilësuar ish-kryeministrin “hienë” dhe është shprehur se duhet pritur të mbyllen hetimet që të zbulohet e vërteta. Protesta janë zhvilluar në lidhje me vdekjen e 32-vjeçarit nën moton “Kupa u mbush”. Gjithashtu dhe sot në orën 18:00 do të zhvillohet një protestë në Tiranë.
Vrasja e Indrit Ndojt
Të enjten, pa shenja jete, u gjet në një kanal në Fushë Krujë, Indrit Ndoj. 34-vjeçari u gjet ga familjarët e tij dhe në këmbë kishte një plagë të shkaktuar nga kaçavida. Ditën e djeshme policia zbardhi ngjarje dhe arrestoi autorët, Sajmir dhe Landi Miri. Para hetuesve, vëllezërit mësohet të kenë deklaruar se nuk kanë pasur për qëllim ta vrisnin fqinjin e tyre por situata u kishte dalë nga kontrolli pasi Ndoj i kishte sulmuar fizikisht.
“Nuk kishim për qëllim ta vrisnim. Po situata na doli nga kontrolli pasi na sulmoi dhe na ofendoi rëndë. Ai (Ndoj) ishte në gjendje të rëndë, pasi kishte konsumuar lëndë narkotike. U takuam te vendi për të sqaruar një muhabet të vjetër. Nuk është se kishim ndonjë konflikt të hapur me të, gjithçka ndodhi aty për aty pasi na sulmoi. Nuk ishte i vetëdijshëm. Ai tentoi të na qëllonte dhe për t’u mbrojtur e qëllova. Më pas u larguam. E lamë të gjallë. Dhe s’menduam se kishim bërë ndonjë plagosje të rëndë. Por për fat të keq kaçavida kishte prekur damarin kryesor (arterien femorale) . Vetëm kur dëgjuam në mëngjes që kishte vdekur. Aty na kapi paniku. Nuk dinim ca të bënim. Jemi penduar shumë, pasi nuk ishte nevoja që situata të arrinte në këtë pikë pa kthim pas. Jemi shumë të penduar”, mësohet të kenë deklaruar ndër të tjera vëllezërit Miri para hetuesve të policisë.
Sekuestrimi i 500 mijë eurove në Portin e Durrësit
Pasditen e së premtes, në Portin e Durrësit u sekuestruan 500 mijë euro të padeklaruara në një autobus që vinte nga Bari, Itali. Paratë ishin të fshehura në tavanin e autobusit dhe të ndara në gjashtë qesë plastmasi. Më parë u bë me dije se agjentët kishin informacionin për këtë transport ndaj edhe e futën autobusin në skaner, ndërsa tani Albeu.com mëson akoma edhe më shumë detaje. Kompania e transportit më pronar Elidon Celan, që po ashtu ishte dhe shoferi në të cilin u gjetën eurot ka qenë edhe më parë objekt shkeljesh. Mësohet se kjo kompani është hetuar edhe më parë pasi janë zbuluar shumë parash, por në sasi me të vogla, si edhe mallra kontrabandë. Për këtë ngjarje, ë pranga ka rënë pronari i autobusit, Elidon Çela, si dhe dy ndihmësit e tij. Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të këtij rasti dhe për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë.
Kuvendi miraton ligjin për hapjen e dosjeve
Kuvendi i Shqipërisë, të enjten, ka miratuar me 94 vota ligjin për Dosjet e Sigurimit të Shtetit, ka patur vetëm dy vota votë abstenim, e cila ka qenë e deputetit Nasip Naço. Maxhoranca dhe opozita kanë bashkuar votat për të miratuar disa amendamente në ligjin e dosjeve të sigurimit të shtetit ku bëhet e mundur hapja e të gjitha dosjeve nga viti 1944 deri në 1991. Në të njëjtën kohë, sipas këtyre amendamenteve, kandidatët për poste të larta drejtuese duhet të kalojnë sërish në sitën e Autoritetit të Dosjeve, pavarësisht se më parë mund të kenë marrë një certifikatë pastërtie nga dy komisionet “Mezini” dhe “Bezhani”. Gjatë votimit në parim 97 deputetë votuan pro dhe një abstenim, ndërkohë që gjatë votimit në parim 94 deputetë votuan pro. Ndryshimet ligjore shkaktuan debate të shumta në dy javët e fundit në Komisionin e Ligjeve dhe Parlament, derisa shumica pranoi amendamentin e PD-së për të hapur të gjitha dosjet e ish-sigurimit./albeu.com