Ditën e djeshme Lëvizja Socialiste për Integrim ndryshoi emrin në Partia e Lirisë.
Ditën e djeshme Konventa Kombëtare e kësaj partie miratoi ndryshimet.
“Ky është një vend me të cilin askush nuk mund të luajë. Dhe kemi vetëm një rrugë dhe kjo rrugë është referendumi. Ne e krijuam LSI-në për të shpëtuar procesin e integrimit europian që e bllokoi Fatos Nano. Ishte ai rotacion falë LSI-së që Shqipëria nënshkroi marrëveshjen e Asociim-Stabilizimit në 2006. LSI bëri çdo gjë dhe për statusin dhe për marrjen e rekomandimit, por e dini se ku jemi tani ka vetëm një rrugë, referendumi është garancia që Shqipëria do jetë e shqiptarëve. Prandaj ju ftoj nga partia e LSI-së në partinë e lirisë, në partinë e sovranitetit, në partinë e referendumit”, tha Meta.
Dhe lëvizjes politike të Metës vetëm 24 orë pasi dorëzoi detyrën e Presidentit të Republikës i kanë bërë jehonë edhe mediat ndërkombëtare.
Associated Press në artikullin e saj shkruan se “pas fjalimit të pasionuar të Metës kundër qeverisë së kryesuar nga socialistët e kryeministrit Edi Rama, konventa e LSI vendosi ndryshimin e emrit dhe riorganizimin e partisë”.
“Ish-presidenti e filloi karrierën e tij politike me Partinë Socialiste të majtë, por në vitin 2004 u largua nga ajo për të formuar LSI-në më të vogël. Gjatë presidencës së tij, Meta përplasej shpesh me qeverinë socialiste, duke bllokuar emërimet e ministrave dhe duke vënë veton ndaj legjislacionit”, shtohet më tej në artikullin e medias prestigjoze.
Ndërkohë, edhe ABCNews i bën jehonë faktit se Meta premtoi që të luftojë qeverinë dhe korrupsionin që ushtrohet nëpërmjet koncesioneve dhe PPP-ve.
“Ish-presidenti i Shqipërisë Ilir Meta mori të hënën drejtimin e partisë së tij të vjetër politike dhe u zotua të luftojë korrupsionin në qeveri përmes referendumeve”, shkruhet në artikull.
Ndërkohë edhe USNews ka raportuar lajmin e ditës së djeshme me Ilir Metën që shkundi sërish politikën shqiptare duke zgjedhur të bëjë opozitë të fortë kundër qeverisë Rama.