Në prag të samitit në Tiranë, Zelensky falenderon Begajn: Vlerësojmë mbështetjen e Shqipërisë

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka falenderuar presidentin e Shqipërisë, Bajram Begaj, për solidaritetin e treguar ndaj vendit të tij.

Teksa ka rishpërndarë postimin e Begajt, Zelensky thekson se Ukraina vlerëson mbështetjen që Shqipëria i ka dhënë dhe se presin me padurim sigurimin e një të ardhmeje paqësore.

“Faleminderit për fjalët tuaja të mira dhe solidaritetin e palëkundur me Ukrainën, Bajram Begaj. Ne vlerësojmë mbështetjen e Shqipërisë dhe presim me padurim sigurimin e një të ardhmeje paqësore evropiane si për vendet tona ashtu edhe për Europën në tërësi”, shkruan Zelensky në X.

Presidenti Bajram Begaj, me rastin e shënimit të dyvjetorit të luftës Rusi-Ukrainë, ritheksoi edhe njëherë qëndrimin e Shqipërisë.

“Dy vjet pas agresionit ushtarak të paprovokuar dhe të padrejtë të Rusisë kundër Ukrainës, ne qëndrojmë me frikë nga lufta e guximshme e popullit ukrainas për liri, dinjitet dhe sovranitet. Ne mbetemi aleatë të palëkundur të Ukrainës, duke mbrojtur së bashku këto parime universale”, shkruante Begaj në një postim në platformën “X”.

Kujtojmë se presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, do të vizitojë Tiranën më 27 shkurt dhe bashkë me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama do të organizojnë samitin për Ukrainën, që mbahet një ditë më pas, 28 shkurt.

Ende nuk ka detaje se cilët liderë të Evropës Juglindore do të jenë pjesë e këtij samiti, ndërsa gjatë vizitës në Ankara të Turqisë ditë më parë, Rama tha se presidenti i Turqisë, Rexhep Tayyip Erdogan do t’i drejtohet samitit përmes një video-mesazhi./albeu.com


Shtuar 25.02.2024 17:30