“Në mendje më ka mbetur një çift që qëndronin pranë”, shefi i Urgjencës zbulon detaje prekëse nga aksidenti në Gramsh

Një aksident i rëndë ndodhi mesditën e sotme në Gramsh, ku për pasojë humbi jetën 30-vjeçari Ledian Lami dhe 9 pasagjerë të tjerë u plagosën

Lidhur me ngjarjen e rëndë ka folur edhe Shefi i Urgjencës në Spitalin e Gramshit, Emanuel Rrengo, që ka zbuluar detaje prekëse nga aksidenti.

Rrengo tregon se menjëherë sapo mësuan lajmin mjekët u angazhuan dhe shkuan në vendngjarje ku puna qe e vështirë për shkak të terrenit. Shefi i Urgjencës thotë se fillimisht bluzat e bardha janë drejtuar te personi që mbeti i vdekur, 30-vjeçari Ledian Lami.

Ndër të tjera ai tregon për “Balkanweb” se në mendje i ka mbetur një çift, burrë e grua, të cilët ishin të lidhur pranë njëri-tjetrit në gjendje të rëndë shëndetësore. Gruaja sipas tij ishte në gjendje më të rëndë dhe është transportuar me helikopter për në Tiranë.

“Ishte goxha e vështirë. Kjo ka qenë urgjenca ime e parë më e madhe. Falenderoj stafin për gatishmërinë. Menjëherë sapo kemi marrë lajmin, kemi bërë njoftimet, të gjithë stafit të urgjencës, edhe kanë qenë në gatishmëri të gjithë mjekët. Dua të falenderoj personelin, që me mjete rrethanore u përgjigj të jepte ndihmën e parë. Personeli ka hasur viktimën e parë dhe pas tij, rastet e tjera, 3 apo 4 kanë qenë rëndë, i kanë ngjitur në krahë, sepse ishte zonë e thepisur.
Ndihma e parë është dhënë në vend. Rasti i parë që erdhi, erdhi nga një makinë personale. Nga autoambulancat tona është dhënë ndihma në vend. Në ndihmë na kanë ardhur edhe urgjenca nga Cërriku dhe Elbasani. Dy persona u gjetën rëndë, burë dhe grua, u gjetën në të njëjtën vend. Të dy ishin në gjendje të rëndë. Në spital ishte i gjithë stafi, edhe stafi i kirurgjisë. Në spital u dha ndihma mjekësore për rastet, me aq sa kemi mundësi”, tha Rrengo.

Shtuar 10.07.2021 21:57