Në kërkim prej 10 vitesh, arrestohet në Greqi “bossi” i “Cosa Nostra”

Italia arreston një nga kriminelët e renditur në listën e mafiozëve më të rrezikshëm të shpallur në kërkim nga Ministria e Brendshme Italiane.

Mario Giulio Calderone, 64 vjeç, bosi i klanit mafioz  Barcellonesi me veprim në komunën siciliane Barcellona Pozzo di Gotto, në provincën e Messinas, e një nga grupet kriminale më historike të Cosa Nostras palermitane e kataneze, u arrestua një ditë më parë në Greqi në afërsi të Larisas.

Prej 10 vitesh Mario Giulio Calderone, ishte shpallur në kërkim nga drejtësia italiane e ndaj tij ishte lëshuar një urdhër arrestimi europian.

Ai është dënuar nga Gjykata e Apelit me 6 vjet e 11 muaj burg në kuadër të operacionit “Mare Nostrum”.

Operacioni Mare Nostrum është nga më të suksesshmit e antimafias italine, i ekzekutuar më qershor të 1994 e që çoi në arrestimin e 250 mafiozëve sicilianë të akuzuar për 39 vrasje, 45 plagosje, dhjetëra atentate, trafik droge, aktivitet ilegalë, kërcënime, zhvatje me dhunë etj.

Bosi mafioz u arrestua në një banesë në Pyrgos – Polydendri Agias, ku partnerja e tij jetonte prej kohësh nën një emër fals, shkruan oranews.

Arrestimi u bë i mundur falë aktivitetit investigativ të Antimafias siciliane në bashkëpunim me autoritetet policore greke pjesë e operacionit European Network of Active Fugitive Search Teams (Enfast).

Shtuar 23.03.2021 12:03