Në kërkim nga Brazili, 39-vjeçari bie në prangat e Policisë në Qafë-Thanë

Një 39-vjeçar nga Struga ka përfunduar sot në prangat e Policisë në pikën kufitare të Qafë-Thanës.

“Blutë” bëjnë me dije se personi në fjalë me inicialet F.V. ishte në kërkim nga autoritetet braziliane. Pritet që ky shtetas të ekstradohet drejt Brazilit, pasi akuzohet për trafikim droge.

Njoftimi i plotë 

Arrestohet me qëllim ekstradimi drejt Brazilit, 39-vjeçari i shpallur në kërkim ndërkombëtar për trafikim të narkotikëve.

Shërbimet e Stacionit të Policisë Kufitare Qafë Thanë, si rezultat i shkëmbimit të vazhdueshëm të informacioneve mes ZQK Interpol Tirana, në hyrje të Republikës së Shqipërisë, bënë të mundur arrestimin me qëllim ekstradimi drejt Brazilit të shtetasit F. V., 39 vjeç, banues në fshatin Veleshte, Strugë, Maqedonia e Veriut.

Gjykata e Gjashtë Federale Penale Rio de Janeiro, më datë 27.11.2019, ka lëshuar urdhër arresti për këtë shtetas, për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”.

Veprimet procedurale u kryen nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Pogradec.

Interpol Tirana vijon procedurat për ekstradimin e këtij shtetasi drejt Brazilit.

 


Shtuar 11.07.2021 13:27