Në burg pasi u kap në “shtëpi bari” në Angli, rrëfimi tronditës i inxhinierit shqiptar: Si e ruanim “mallin”

Faktoje sjell historinë e një të riu shqiptar, të diplomuar në inxhinieri elektronike, i cili jetoi në Angli për 6 vite, por përfundoi në burg, pasi u kap duke punuar në “shtëpitë e barit”. Mikaeli tregon se gjatë qëndrimit në burg është takuar më shumë shqiptarë të tjerë që, për të njëjtat arsye janë larguar nga Shqipëria.  Një anketë e kryer nga profesorët Ilir Gëdëshi dhe Russell King për vitin 2020 zbuloi se 79% e studentëve shqiptarë dëshirojnë të largohen nga vendi. Ky trend i “braktisjes” së vendit nuk ka prekur vetëm të rinjtë, por sipas sociologëve ka goditur fort shtresën e intelektualëve e profesionistëve.

Mikaeli është 33-vjeç. Ai u diplomua për inxhinieri elektronike në Tiranë me shpresën se do të punonte në këtë profesion. Por tregu në Shqipëri ishte i vështirë dhe në vitin 2014 ai ndërmori rrugëtimin drejt Anglisë.

“Si gjithë rinia shqiptare provova tokën angleze. Edhe në atë kohë ka qenë ‘trend’ me ik në Angli. Unë ika në vitin 2014 me kamion, pagova 7 mijë paund në atë kohë. Lekët i mora borxh, mezi i kam shlyer.

Një muaj kam qëndruar në Belgjikë që të prisja radhën për të hipur në kamion, sepse edhe në atë kohë kishte shumë të rinj të tjerë që kishin rezervuar këtë udhëtim para meje. Më pas më erdhi radha dhe ika.

Qëndrova 5-6 vjet në Angli. Nisa punë fillimisht në ndërtim, më pas si bojaxhi. Por, prej pandemisë Covid-19, bllokimit, humba punën.

Në kohën e karantinës (2020) nisa punë në shtëpi bari. U bë shtëpia ime, qëndroja aty, ishte shtëpi private në Lincoln një  banesë e sajuar për të rritur bimët, me llamba, tre dhoma me nga 20 rrënjë. Unë kujdesesha për bimët”, thotë 33-vjeçari.

Mikaeli shprehet se gjithë kohës rrinte me frikën se do sulmohej nga grupet rivale apo panikun se mund të vinte policia që ta arrestonte. Dhe pa kaluar 3 muaj nga momenti që kishte nisur punën në fermën e kanabisit, ai u zbulua dhe u kap nga autoritetet britanike.

“Rrija me frikë nga grupet e tjerë ose nga fakti që nga momenti në moment mund të vinte policia. Mirëpo, pa e nxjerr akoma prodhimin, më kapi policia. Punova aty gati 3 muaj. Në qershor 2020 u arrestova, u dënova me 2 vite burg. Në burg kishte shumë shqiptarë të tjerë. Bëra 6 muaj burg, më ulën dënimin, sepse pranova të kthehesha në Shqipëri”, tregon 33-vjeçari, duke e kujtuar si një ndër periudhat me të vështira në jetën e tij.

“Po punoj këtu për momentin bojaxhi, por po shoh të iki sërish, ilegalisht. Cmimet këtu janë të larta, dhe paratë që marr nuk me dalin të mbyll muajin.

33-vjeçari i intervistuar nga Faktoje

Sociologu Gëzim Tushi argumenton për Faktoje se shumë të rinj, por edhe profesionistë po ikin edhe pse ketu kanë një punë dhe një pagë relativisht të qëndrueshme. Plaga sociale e emigracionit tani ka filluar të transformohet, nga një plagë sociale që ishte e lidhur me nevojat bazike, ekzistenciale të jetës, tani ka filluar të marrë një karakter të tillë që është përmbledhur në këtë paradigmën shkatërruese, sipas të cilës në këtë vend nuk mund të jetohet më, duhet ikur nga ky vend dhe kjo patologji është përhapur gjerësisht sidomos te të rinjtë dhe te ajo e intelektualëve e profesionistëve, të cilët kanë filluar të marrin rrugët pikërisht për këto motive”

Sociologu Tushi thekson se shoqëria shqiptare po bëhet një shoqëri e plakur. Ka filluar të ulët numri i martesave, kanë rënë lindjet, kemi rënë në 1.3 fëmijë për grua. Jemi tani me rritje negative, po plakemi me shpejtësi si popullsisë.

Nëse do vazhdojë me këto ritme emigracioni, atëherë i bie që nga viti 2050 ne do të duhet ta importojmë brezin e ri nga jashtë dhe praktikisht kanë filluar të shfaqen shenjat e para, me ardhjen e punëtorëve nga vendet e Lindjes së Mesme“, thotë Tushi.

Ekspertët saktësojnë se nuk kërkohen më vetëm dokumente të shkruara në letër, sepse ky vend harton shumë strategji, por nuk i zbaton ato. Një dokument, i cili të përfshijë një lëvizje cilësore, totale dhe të të gjitha fushat e jetës sonë, në arsim, në shëndetësi, në kulturë, në ekonomi, në shëndetësi, në sistemin e pagave, në arsim etj, nëse duaam më të vërtetë të dalim këtë fenomen.

Nga ana tjetër, një anketë e kryer nga profesorët Ilir Gëdëshi dhe Russell King për vitin 2020 zbuloi se 79% e studentëve shqiptarë dëshirojnë të largohen nga vendi në raport me 65% në vitin 2018. /Ilda Hoxha-Faktoje


Shtuar 17.03.2023 17:38