“Ndyrësirë, plehrë…” Drejtoresha konfliktohet me punonjësit jashtë shkollës

“Stop” ishte në Fllakë të Durrësit për shqetësimin e zotit Muhamed Muça, i cili është në konflikt me drejtoreshën e shkollës 9-vjeçare “Bajram Gashi”, Merita Difi. Sipas Muhamedit, drejtoresha kërkon që ai të heqë kioskën afër shkollës, ku shet produkte të gatshme për fëmijë, por asgjë të rrezikshme.

“Arsyeja e drejtoreshës është se pse komshia këtu, ka këtë kioskën dhe insiston me këmbëngulje që kjo koskë të hiqet nga këtu në një kohë që unë këtë kioskë kam tash 25 vite të vendosur këtu, që mund të verifikohet, e mund të konstatohet. Tregtoj lapsa, stilolapsa, fletore, molto, patatina, çokollata, të cilat ka ardhur AKU se ma ka sjellë vjet dhe ka bërë verifikim të të gjitha këtyre materialeve e produkteve dhe ka ikur me konkluzionin që i ke çdo gjë brenda standardit. As nuk gatuaj hamburger, as nuk gatuaj sanduiçe, as nuk gatuar byreqe, as nuk kam bylmete. Me logjikën e kësaj, unë duhet të ngrihem me kioskë dhe me shtëpi e të iki nga këtu”, u shpreh ai.

“Stop” e pa vetë nga afër se çfarë tregtohet brenda në kioskë.

“Dal me nxjerr bukën e gojës”, tha denoncuesi.

“Në mëngjes, ku vijnë kalamajtë nga shtëpia me autobus, hyn ndonjë fëmijë me ble ndonjë fletore, ndonjë stilolaps, ndonjë çokollatë, ndonjë molto, ndonjë patatinë. Nuk po e imponoj fëmijën të vijë të blejë tek unë, ama fëmija shkon e blen edhe tek dyqani tjetër. Deri para disa kohësh drejtoresha vinte tek kjo koskë që shihni ju, se nuk është dyqan ky, vinte edhe vetë, edhe i kapte gjërat me dorë vetë, jo kjo bën, jo kjo s’bën. Nuk paguante asnjë lek”, tha Muça më tej.

Drejtoresha nuk është konfliktuar vetëm me zotin Muça, por edhe me punonjësit e pastrimit. Ajo nxjerr fëmijët, për të lëvizur koshat e mbeturinave jashtë shkollës dhe ulëret në rrugë.

Drejtoresha: Ta kam tregu ty e Vangjushit! Unë të kap zvarrë dhe të marr jetën, derisa të vijë policia.

I del para autobusit të nxënësve në prani të policisë.

Drejtoresha: I përgjigjem unë rendit. Lëre këtu! Këtu!

Konfliktohet me punonjësin e pastrimit, sepse lëviz pozicionin e koshit, drejtoresha jep urdhër, fëmijët lëvizin koshin.

Punonjësi: Çdo shkollë ka koshin e vet.

Drejtoresha: E kam në shkollë koshin.

Punonjësi: Po s’je ti, që i heq këto, është tjetërkush.

Drejtoresha: Ndrysho vendimin e Këshillit Bashkiak!

Punonjësi: Ka mundësi motra ime, ti të bësh punën tënde, unë timen?!

Drejtoresha: Unë bllokoj shkollën!

Sharje e ofendime ndaj Muçës.

Drejtoresha: Ndyrësirë! Nuk e heq nga puna unë atë, o plehrë!/tvklan.al