Një ditë pasi kryeministri Edi Rama njoftoi ndryshimet në qeveri, ku disa ministra u zëvendësuan, ditën e sotme pritet dekreti nga presidenti Bajram Begaj.
Pak pas mbylljes dje të Kongresit Zgjedhor të PS-së ku u zgjodh dhe Asambleja e re e kësaj partie, kryeministri Edi Rama, u paraqit në Presidencë për t’i paraqitur propozimet personalisht kreut të shtetit Bajram Begaj.
Sakaq, këto ndryshime në kabinetin qeveritar pritet që të miratohen sot me dekret, ndërsa pasdite është parashikuar që të mblidhet Kuvendi në një seancë të jashtëzakonshme.
Seanca në fjalë thuhet se do të mbahet në orën 18:00.
Pak para seancës në fjalë, kryeministri Edi Rama, do të mbledhë sot Kryesinë e PS-së, ku kryefjalë e diskutimit padyshim janë këto ndryshime të njoftuara dje në Kongres.
Në seancën plenare, pritet të votohen nga deputetët emrat e ministrave të rinj të kabinetit Rama.
Kujtojmë se sesioni parlamentar u mbyll të premten, ndërsa në mënyrë krejt të papritur Lindita Nikolla dha dorëheqjen nga posti i kryeparlamentares.
Ajo deklaroi se vendimi ishte për arsye personale, ndërsa në vend të saj Rama, propozoi Elisa Spiropalin.
Propozimet për ndryshimet në Qeveri
Ervin Hoxha, emërohet ministër i Brendshëm (Largohet Taulant Balla)
Petrit Malaj, emërohet ministër i Financave (Largohet Ervin Mete)
Pirro Vengu, emërohet ministër i Mbrojtjes (Largohet Niko Peleshi)
Taulant Balla, emërohet ministër i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin (Largohet Elisa Spiropali, e cila zëvendëson Lindita Nikollën si kryetare e Parlamentit).