Ndryshimet në qeveri/ Presidenti Begaj dekreton ministrat e rinj

Presidenti Bajram Begaj, ka dekretuar vendimin për shkarkimin e tre ministrave dhe emërimin e tre të tjerëve në kabinetin qeveritar Rama.

Kryeministri Edi Rama, njoftoi të dielën ndryshimet në qeveri, gjatë Kongresit Zgjedhor të PS-së.

Begajt iu deshën dy ditë për të miratuar këto ndryshime, duke nxjerrë dhe dekretet. Kujtojmë se sot në orën 18:00, do të mblidhet Kuvendi në një seancë të posaçme, për të miratuar këto ndryshime.

Dy ditë pas propozimeve të kryeministrit Rama për të ndryshuar qeverinë, Presidenti i Republikës, Bajram Begaj ka dekretuar emrat e rinj të kabinetit qeveritar, konkretisht, Ervin Hoxhën ministër i Brendshëm, Petrit Malaj ministër i Financave, Pirro Vengu, ministër i Mbrojtjes dhe Taulant Balla ministër Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin.

Konkretisht, Presidenti dekretoi shkarkimin e Ministrit të Brendshëm, Taulant Balla, ministrin e Mbrojtjes Niko Peleshi dhe ministrin e Financave, Ervin Mete.

Po ashtu, Presidenti dekretoi edhe shkarkimin e Elisa Spiropali si Ministre e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin.

Njoftimi:

NJOFTIM PËR SHTYP

Tiranë, 30 korrik 2024

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Sh. T. Z. Bajram Begaj, në zbatim tëkompetencave të tij kushtetuese, mori në shqyrtim propozimin e Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë, Sh.T.Z. Edi Rama, të datës 28 korrik 2024, për shkarkimin dhe emërimin e disa ministrave.

Në përfundim të procedurës së shqyrtimit, Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Bajram Begaj,dekretoi sot, më 30 korrik 2024:

Shkarkimin e Ministrit të Brendshëm, z. Taulant Balla;

Shkarkimin e Ministrit të Mbrojtjes, z.NikoPeleshi;

Shkarkimin e Ministrit të Financave, z.Ervin Mete;

Shkarkimin e Ministrit të Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, znj.ElisaSpiropali;

Emërimin e Ministrit të Brendshëm, z.Ervin Hoxha;

Emërimin e Ministrit të Mbrojtjes, z. Pirro Vëngu;

Emërimin e Ministrit të Financave, z. Petrit Malaj;

Emërimin e Ministrit të Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, z. Taulant Balla.

 


Shtuar 30.07.2024 11:54