“Ndihma 200 mln rëndon OSHEE”, flasin ekspertët: Duhet të ishte krijuar bursa e energjisë elektrike

Ekspertë të ndryshëm janë shprehur se duhej të ishte krijuar bursa e energjisë elektrike për të shmangur problemet me çmimin e energjisë.

Këshilli i Ministrave ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme energjetike. Për të përballuar këtë emergjencë kryeministri Rama shpalli një plan me tre pika, që do t’i kushtojë buxhetit 200 milionë euro.

Në këtë plan garantohen çmime të pandryshuara energjie për familjarët dhe biznesin e vogël si dhe furnizim i pandërprerë me energji elektrike në vend. Për ekspertin Lorenc Gordani kjo kosto në buxhet është një kambanë alarmi për një reformë të thellë në sektorin e energjisë. Shqipëria nuk duhet të sigurojë më energji në mënyrë të paplanifikuar, por me kontrata afatgjata, raporton Top Channel.

Lorenc Gordani: “Tregu energjetik nuk funksionon me prokurime publike as me ankande. Në të gjithë Evropën funksionon me bursa energjetike. Nëse ne do të kishim një bursë qoftë kombëtare apo rajonale do të kishim maksimizuar fitimet nga shitja e energjisë, ndërsa në këtë skemë ku jemi, do mbetemi pafundësisht të detyruar të përballojmë luhatjet e tregut.”

Për shkak të emergjencës qeveria gjithashtu i ka kërkuar tre kompanive publike OSHEE, KESH dhe OST të ndalojnë investimet e tyre.
Eksperti Gordani shprehet se kjo mund të sjellë një kosto për qytetarët, në mënyrë indirekte:

Lorenc Gordani: “Nuk do bëhen investimet e rëndësishme në dy drejtime, për mirëmbajtjen dhe zhvillimin e rrjetit. Duhet të kuptojmë që OSHEE duhet të bëjë 50 mln euro investime në vit, për të ulur me 1% humbjet në rrjet. Këto investime nuk do të bëhen më dhe humbjet e rrjetit në Shqipëri janë ndër më të lartat në Evropë. Këto humbje të gjitha faturohen tek qytetari nga ana e shpërndarësit, raporton Top Channel.

Kriza që ka pushtuar globin nuk parashikohet ende sa do të zgjasë, ndërsa çmimet e produkteve energjetike nuk pritet të kthehen më në nivelet që ishin.

Plani i qeverisë për emergjencën

Garantimin e furnizimit pa ndërprerje

Mbrojtjen e familjeve dhe bizneseve të vogla nga rritja e çmimit të energjisë

Garantimin e mjeteve për blerjen e energjisë.

Fondi: 200 milionë euro/albeu.com/albeu.com