Sarandë, gjykata liron 6 nga 8 inspektorët e IKMT! Dorëzohet në doganë ish-Drejtori! Ishin ndaluar për hotelin 7 katësh pa leje

Gjyqtari i Gjykatës së Sarandës, Mikel Hysometaj dha masat e sigurisë për 8 zyrtarët e ASHK, Bashkisë Sarandë dhe IKMT, të ndaluar duke shpallur të paligjshme arrestimet dhe duke ndryshuar masën e sigurisë të kërkuar nga Prokuroria për 6 nga të ndaluarit.

Prokurorja Silvana Belishta kishte kërkuar “arrest në shtëpi” për Ermen Strokën, Erald Likën, Denis Balilin, Viktor Qesarin, Oltion Durmishin dhe Tonin Simonin, zyrtarë dhe ish-zyrtarë të ASHK, Bashkisë Sarandë dhe IKMT, të dyshuar për “shpërdorim detyre” dhe “detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” për Ina Papa, zyrtare e ASHK dhe Manushaqe Saliko ish-zyrtare e IKMT, të ndaluara nën të njëjtën akuzë.

Po sot Gjyqtari Hysometaj ka vendosur masën e sigurisë “detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” për 6 nga të ndaluarit, ndërsa për 2 i ka lënë në “Arrest shtëpie”. Me këtë masë janë lënë vetëm Stroka dhe Lika. Praktikisht Hysometaj ka lënë të lirë inspektorët e IMT të Bashkisë Sarandë dhe të IKMT.

Ndërkohë ditën e sotme është dorëzuar në një nga pikat e kalimit kufitar edhe ish-Drejtori i ASHK Sarandë, Andri Dhima. Seanca për caktimin e masës së sigurisë ndaj tij do të zhvillohet ditën e hënë.

Policia vazhdon ende të kërkojë Mariel Muratin dhe Kozeta Stathën, të dy ish Drejtorë të ASHK Sarandë. Statha dyshohen për veprën penale “shpërdorim detyre” ndërsa Murati për “ndërtim të paligjshëm”. Dhima, Statha dhe Balili rezultojnë me masa sigurimi aktive edhe për cështje të tjera penale.

Një hotel 7 katësh në lagjen nr.4 të Sarandës ka qenë shkaku i 11 urdhër ndalimeve të lëshuara nga Prokuroria e Sarandës. Hoteli në fjalë, rezulton në pronësi të ish Drejtorit të ALUIZNI Sarandë, Mariel Murati.

Sipas burimeve, Murati kishte marrë leje për rikonstruksionin e një objekti ekzistues të blerë nga ana e tij, por e kishte rrënuar të gjithin duke e ndërtuar pa leje nga fillimi e duke shtuar më shume kate se sa ekzistuesi. Pas kësaj ai ka arritur ta legalizojë objektin pa leje, hotel i cili është vendosur dhe funksionon si i tillë prej rreth 2 vitesh. Të gjitha këto veprime kanë ndodhur pasi ai e kishte lënë detyrën e drejtuesit të ALUIZNI Sarandë dhe ishte emëruar në një detyrë tjetër drejtuese.

Lajmi në perditesim…


Shtuar 16.03.2024 15:29