Ndërlikohet shitja e Chelsea, Abramovich nuk siguron premtimin e bërë

Synimi i Roman Abramovich për të shitur Chelsean po rezulton të jetë i ndërlikuar. Pas vonesës në gjetjen e një oferte që bindi të gjitha palët e përfshira, tashmë ka fërkime të minutës së fundit, të cilat në këtë rast mund të llogariten në miliarda euro.

Oferta fituese, e cila aktualisht është në pritje të miratimit nga qeveria britanike, është ajo e bosit amerikan Todd Boehly, i cili ofroi 4.25 miliardë paund për të marrë ‘Blutë’. Abramovich e kishte nxjerrë klubin në shitje për shkak të sanksioneve të vendosura ndaj tij pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia.

Siç zbulohet nga “BBC”, qeveria e Mbretërisë së Bashkuar ka “shqetësime serioze” në lidhje me planet e Abramovich pasi oligarku rus ende nuk ka rënë dakord “për një strukturë shitjesh që u jep ministrave besimin se të ardhurat do të shkojnë për bamirësi”.

Shitja, e cila duhet të përfundojë përpara 31 majit, tani është gjithashtu e rrezikuar nga një ndërhyrje e mundshme në marrëveshje nga një kompani e lidhur me Abramovich dhe që besohet se do të kontribuojë rreth dy miliardë euro./ h.ll/albeu.com


Shtuar 17.05.2022 08:40