Zysha e dashur vlonjate, Ina Kasimati është ndarë nga jeta këtë të shtunë. Përballjen me kancerin e fitoi herën e parë por e humbi fatkeqësisht herën e dytë.
Familja Kasimati njofton se mësuesja për të cilën shqiptarët u bënë bashkë duke treguar një dashuri të pakufijshme, do të përcillet nesër për në banesën e fundit, në qytetin e Vlorës.
“Të dashur miq dhe kolegë të Ina Kasimati, ju falënderojmë për të gjithë mbështetjen tuaj në këtë kohë të vështirë për ne. Zoti jua shpërbleftë! Ina do të përcillet për në banesën e fundit nesër në orën 12.00 në qytetin e Vlorës”, thuhet në njoftim, ndërsa adresa është pranë Shkollës së Naftës.
Më 8 Mars, falë kontributit të qindra shqiptarëve zyshë Ina Kasimati mbërriti në Aeroportin e Rinasit me avion ambulancë nga Franca, ku po kurohej prej muajsh. Mjekët i kishin rekomanduar të kthehej në Vlorë, pranë familjes.
Ajo u bëri thirrje gjithë atyre që kishin mundësi për mbledhjen e 17 mijë eurove, sepse familjarët nuk e përballonin dot koston e udhëtimit të saj me charter mjekësor nga Franca në Shqipëri. Brenda pak orësh shqiptarët mblodhën mbi 24 mijë euro.
Ina erdhi në shtëpi, shkoi pranë familjes së saj, por fatkeqësisht ata njoftuan se zysha që preku zemrat e qindra e mijëra shqiptarëve u largua përgjithmonë nga kjo jetë, si një grua e fortë që nuk reshti së luftuari deri në momentin e fundit.