Mes tensioneve masive me Moskën, NATO ka filluar stërvitjen e saj të përvitshme me armë bërthamore për parandalimin bërthamor në Evropën Perëndimore.
Sipas Aleancës, në stërvitjen “Steadfast Noon” gjatë dy javëve të ardhshme do të marrin pjesë deri në 60 avionë. Manovrat zhvillohen veçanërisht në hapësirën ajrore mbi Belgjikë, Britaninë e Madhe dhe Detin e Veriut. Forcat e armatosura gjermane gjithashtu marrin pjesë.
Sipas NATO-s, stërvitja nuk është një reagim ndaj agresionit të Rusisë kundër Ukrainës. Kemi të bëjmë me një ushtrim të rregullt stërvitor.
Është një “stërvitje rutinë dhe e përsëritur që nuk ka asnjë lidhje me ngjarjet aktuale botërore”, u bë e ditur nga selia e NATO-s në Bruksel. Zëdhënësja e NATO-s Oana Lungescu u mjaftua me një deklaratë të përgjithshme: “Kjo stërvitje kontribuon për të siguruar që parandalimi bërthamor i Aleancës të mbetet i sigurt dhe efektiv”.
“Steadfast Noon” është një stërvitje që përfshin shtetet që nuk kanë vetë armë bërthamore, si Gjermania, në veprimet parandaluese të NATO-s. Sipas raporteve të pakonfirmuara, armët bërthamore amerikane ruhen në Italinë veriore, Belgjikë, Turqi, Holandë dhe Büchel, landi federal gjerman i Rheinland-Pfalz-it.
Pjesëmarrja bërthamore parashikon që në rast emergjence, armët bërthamore të hidhen edhe nga avionët e shteteve partnere për të neutralizuar, për shembull, forcat e armatosura kundërshtare. Për këtë qëllim Gjermania ka aeroplanë luftarakë Tornado PA-200.
Sipas ekspertëve ushtarakë, forcat ajrore pjesëmarrëse trajnohen, ndër të tjera, për të transportuar në mënyrë të sigurtë armët bërthamore të SHBA nga strehimet nëntokësore në avionë dhe për t’i montuar ato nën avionë luftarakë. Megjithatë, gjatë fluturimeve stërvitore, aeroplanët fluturojnë pa bomba.
Këtë vit NATO jep njoftim të qartë për fillimin e stërvitjes
Ndryshe nga vitet e kaluara, NATO këtë vit informon për fillimin e manovrave Steadfast-Noon. Në qarqet e Aleancës, ky vendim justifikohet me faktin se këtë herë bëhet fjalë për të treguar më shumë se zakonisht se NATO-ja është e përgatitur mirë edhe për një skenar të tmerrshëm siç është lufta bërthamore.
Aneksimi i katër territoreve të okupuara të Ukrainës, në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar, ka ngritur së fundmi shqetësime të reja për përdorimin e armëve bërthamore nga Rusia. Presidenti rus Vladimir Putin më pas njoftoi se territoret do të mbroheshin me të gjitha mjetet në dispozicion. Putini nxiti kështu spekulimet se ushtria ruse mund të përdorë armë bërthamore të vogla, me rreze të kufizuar për të fituar luftën./DW