Tre peshkarezha me naftë kontrabandë janë kapur ditën e sotme në Durrës.
Mësohet se dy prej tyre ishin me flamuj të huaj, teksa një tjetër mbante flamurin shqiptar.
Sasia e madhe e naftës kontrabandë dyshohet se vinte nga Libia, teksa pritet ende një informacion zyrtar nga policia.
Kjo nuk është hera e parë që në vendin tonë kapet naftë kontrabandë nga Libia.
Në muajin gusht të vitit të kaluar u sekuestrua një anije çisternë e cila transportonte 2275 tonë naftë që vinte nga Libia.
Në pranga atëherë ranë 4 shtetas libanezë dhe u proceduan në gjendje të lirë disa të tjerë.
Veçse në shkelje të ligjit duke futur naftë kontrabandë në vend, në këtë rast edhe më e rëndë është shkelja e Rezolutës së Këshillit të Sigurimit, pjesë e së cilës është edhe Shqipëria, e cila miratoi unanimisht zgjatjen e embargos së naftës dhe produkteve të tjera me Libinë deri në 30 tetor të vitit të ardhshëm.
Ndërkohë, në janar të këtij viti u kapën rreth 62 mijë litra naftë kontrabandë në Libia, po në Durrës, duke çuar në arrestimin e 13 personave, 10 prej tyre shtetas të huaj.
Vetëm një muaj më vonë, një tjetër anije që mbante 22 500 ton naftë kontrabandë u ndalua në Durrës.
Nafta kontrabandë vinte nga Rusia, teksa anija mbante flamur liberian.
Ndërkohë, përmes një makinacioni “në letra” ishte deklaruar se nafta ishte importuar nga vendet e rajonit.
Sa i përket naftës së kapur ditën e sotme, nuk dihet sa ka qenë sasia e saj dhe ende nuk ka informacion zyrtar për të arrestuar apo të ndaluar.