Kremlini ka bërë thirrje të hënën për zgjidhje “diplomatike”, pas rritjes së tensioneve në veri të Kosovës, ditëve të fundit.
“Ne parapëlqejmë që palët të bëjnë përpjekje të natyrës paqësore dhe që kjo situatë të zgjidhet përmes rrugëve diplomatike”, ka thënë zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, para gazetarëve.
“Ne duam të sigurohemi që të gjitha të drejtat e serbëve janë të garantuara”, ka thënë ai.
Ministria e Jashtme ruse është zotuar se do të qëndrojë me Beogradin.
“Ne do të vazhdojmë t’i ndihmojmë Beogradit për të mbrojtur interesat kombëtare legjitime, sa i përket Kosovës”, ka thënë zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova.
Ajo ka thënë se Moska është “e alarmuar” për situatën e krijuar, dhe ka akuzuar Prishtinën për “provokime” dhe “shtypje të serbëve në Kosovë”, pa ofruar dëshmi për pretendimet e bëra.
Që nga 6 dhjetori, në veri të Kosovës janë shënuar një sërë incidentesh të armatosura, që kanë kulmuar me vendosjen e barrikadave pasditen e 10 dhjetorit.
Serbët lokalë nisën ngritjen e barrikadave në veri në shenjë pakënaqësie ndaj arrestimit të një ish-pjesëtari të Policisë së Kosovës.
Autoritetet në Kosovë thanë se ish-polici, Dejan Pantiq, dyshohet se ka organizuar “sulmin terrorist” ndaj zyrave të KQZ-së në veri.
Komuniteti ndërkombëtar ka kërkuar që të largohen barrikadat dhe i ka dënuar sulmet ndaj Policisë së Kosovës dhe misionit të BE-së në Kosovë për sundim të ligjit, EULEX.
Serbia gëzon lidhje të mira me Rusinë, derisa kjo e fundit nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, të shpallur më 2008. REL