Presidenti i Ukrainës Volodymir Zelensky ishte surpriza e festivalit të filmit në Venecia, pasi iu bashkua eventit nëpërmjet një video-mesazhi.
Gjatë fjalimit të tij në festivalin më të vjetër të filmit në botë, presidenti ukrainas kërkoi mbështetje për vendin e tij nga e gjithë bota e kinemasë.
Zelensky, i cili ka qenë dikur edhe aktor vetë, doli në skenë përmes një video-mesazhi ku bëri thirrje që bota e kinemasë të mos e harrojë luftën.
Në fund të fjalës së tij, në ekran, në një sfond të zi, u shfaqën ngjarjet më makabre të ndodhura në Ukrainë si edhe emrat e të gjithë fëmijëve dhe adoleshentëve, deri në 18 vjeç, të vrarë në luftë nga ushtarët rusë.