Morën peng 30-vjeçarin, lihen në burg 3 të rinjtë (EMRAT)

Gjykata e Durrësit ka vendosur masën e sigurisë personale “arrest me burg” për tre autorët e pengmarrjes së Blerim Hankut, përkatësisht për shtetasit Iljaz Kotarja, Geri Cani dhe Jurgen Delia.

Prokuroria tha se mbi të arrestuarit rëndojnë akuzat për veprat penale “Heqja e paligjshme e lirisë” dhe “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”, të kryera në bashkëpunim.

Arrestimi i shtetasve u bë në kuadër të operacionit policor të koduar “Borxhi”, teksa ata po lëviznin në zonën e plazhit, në drejtim të Shkozetit, me një automjet.

Pengmarrja e 30-vjeçarit erdhi për shkak të një borxhi për veprimtari kriminale të kryer jashtë shtetit, në fushën e trafikimit të narkotikëve.

Blerim Hanku ishte marrë dhe mbajtur pa dëshirën e tij, në automjetin tip “BMW X5”, nga shtetasit Iljaz Kotarja 27 vjeç, banues në Paskuqan, Tiranë, Geri Cani, 26 vjeç dhe Jurgen Delia 29 vjeç, me banim në Durrës.

Këta tre shtetas po e kërcënonin shtetasin 30-vjecar për t’iu dhënë shumën 6 000 paund, të cilën shtetasi Iljaz Kotarja pretendonte se ia kishte detyrim për një çështje droge në kohën kur të dy këta shtetas kryenin dënimin për narkotikë, në shtetin britanik, në të njëjtën qeli burgu.

Mbi të arrestuarit rëndon akuza për veprat penale “Heqja e paligjshme e lirisë” dhe “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”, të kryera në bashkëpunim.


Shtuar 30.11.2023 16:47