“Mora Fjalë” ndalohet të këndohet në stadium, reagojnë Shkurte Fejza dhe Lorik Cana

Kënga “Mora Fjalë”, që nisi të këndohej nga të gjithë tifozët shqiptarë pas kualifikimit historik të Shqipërisë në Europianin e Gjermanisë, tani është ndaluar që të këndohet në stadium.

Lidhur me këtë ka ardhur një reagim nga Lorik Cana dhe Shkurte Fejza.

“Unë jam ndier shumë e nderuar që më kanë ftuar të këndoj në stadium dhe ka qenë një përjetim i jashtëzakonshëm. Por kënga që është e ndaluar ose e mohuar, për mua është diçka e pakuptimtë. Më dhemb sepse kjo këngë është për një figurë të shenjtë që ka Kosova dhe konsiderohet një figurë e shenjtë dhe për Shqipërinë. Kjo këngë mori përmasa nga stadiumi”, tha artistja.
Këtë vendim e komentoi dhe ish-kapiteni i Kombëtares, Lorik Cana, i cili u shpreh se asgjë nuk do t’i ndalojë tifozët që ta këndojnë.

E lexova pak në rrjete. Nuk është se kam pasur një vëmendje të madhe, por është një fat që e kemi një Shkurte Fejzaj që për ne në Kosovë është një figurë e veçantë. Sa i përket pjesës së këngës, të them të drejtën nuk jam shumë brenda ngjarjes, por një gjë është e sigurt, mos t’i japim aspekt negativ. Kënga do këndohet nëpër shkolla, nëpër stadiume. Dhe kur këndojnë tifozët, askush nuk mund t’i ndalë. Nuk e shoh që të mbahet si polemikë. Sa i përket këngës “Mora fjalë”, është këngë e popullit tonë, e sakrificave dhe kur këndohet në stadium, nuk ka asgjë që e ndalon, me muzikë apo pa muzikë në sfond”, tha Cana.


Shtuar 4.12.2024 16:18