Këtë të enjte, Monika Kryemadhi, ka reaguar për videot intime të disa personazheve të njohur të ekranit, të cilat prej disa ditësh janë shpërndarë në rrjetet sociale.
Gjatë mbërritjes në Gjykatën e Posaçme, ku po zhvillohej seanca e radhës, ajo u pyet nga gazetarët nëse i kishte parë videot. Kryemadhi u përgjigj “Po” dhe theksoi se personi që i ka filmuar dhe ai që i ka publikuar duhet të përballen me ndëshkim.
Të lidhura
None found
“Ajo që më ka lënë është një ndjesi shumë e shëmtuar, sidomos për shkak të viktimave, grave dhe vajzave që janë përfshirë, kushdo qofshin ato. Është një veprim tepër i ulët nga ana e personit që i ka realizuar, i ka regjistruar dhe më pas i ka shpërndarë, ndaj duhet të dënohet”, deklaroi ajo.
Kryemadhi shtoi se jeta private e një individi nuk duhet të bëhet objekt gjykimi publik.
“Askush nuk ka pse të merret me atë që bën një njeri në dhomën e gjumit apo me mënyrën se si jeton privatisht. Më shqetësuese është mënyra se si kemi nisur t’i gjykojmë këto situata dhe gjithë jetën shoqërore të vendit, gjë që është e tmerrshme”, u shpreh ajo.
Sipas saj, fakti që një video intime shkakton më shumë reagim sesa problemet sociale dhe ekonomike përbën një fatkeqësi kombëtare.
“Të ndihesh më i dhunuar nga një video porno që sheh, sesa nga taksat e larta, largimi i të rejave dhe të rinjve apo shpopullimi i Shqipërisë, është një fatkeqësi e madhe dhe për mua një fatkeqësi kombëtare. Më vjen shumë keq dhe ndjej neveri për ata që e kanë bërë këtë”, përfundoi Kryemadhi.
