Mjeku zbulon dy medikamentet që ”ropën” xhepat e shqiptarëve me Covid-19: Turp!

Shqiptarët prej më shuëm se 1 viti po përballen me COVID-19 I cili ka marrë mijëra jetë njerëzish dhe ka rropur xhepat e qytetarëve.

Të gjendur përballë pandemisë, frikës për jetën, shqiptarët iu drejtuan farmacive për të kuruar familjarët në shtëpi.

Mjeku Dasho me një reagim të gjatë ka zbuluar peripecitë dhe faturën e shtrenjtë të shqiptarëve që paguan për COVID-19.

Nga Erion Dasho: 

Në muajin shkurt, gjatë të cilit shumë familje shqiptare u shndërruan në spitale, në familjen e një të njohuri u sëmurën katër pjestarë njëkohësisht, fatkeqësisht me komplikacione të niveleve të ndryshme.

Në një moment të caktuar, kur të katër pjestarët e familjes kishin nevojë t’u administrohej një injeksion (dikujt hollues gjaku, dikujt antibiotik, dikujt edhe injeksion intravenoz), vetëm kosto e infermierit ishte 40 mijë lekë në ditë ose 5 mijë lekë për pacient, për vizitë. 320 Euro në ditë vetëm për infermierin në mëngjes dhe në mbrëmje!

Pajisja e prodhimit të oksigjenit u gjet “me mik” dhe me shumë vështirësi me një qira ditore 5 mijë lekë duke sjellë në një muaj një faturë rreth 1,200 Euro.

Nuk po llogarit çmimin e medikamenteve, të cilat përfshinë edhe Remdesivir-in e famshëm të cilin e siguroje në tregun gjysmë të zi sa të hapësh e të mbyllësh sytë kundrejt çmimit 500 Euro për flakon, apo Tocilizumab-in të cilin e gjeje për 1,200 deri 1,500 Euro për flakon.

E pra, unë jetoj në Gjermani, jam mjek, dhe nuk “gjej” dot as Remdesivir dhe as Tocilizumab në farmacitë gjermane! Në se do të kërkoja do të më shihnin me çudi për të kuptuar se ç’kërkon të bëjë një mjek me dy preparate në studim, secili me efekt ende të pakuptuar dhe të paprovuar në ecurinë e COVID-it.

Fatkeqësisht, jo në Shqipëri! Remdesivir-i dhe Tocilizumab-i jepen sot si karamele duke rrënuar xhepat e familjarëve të pacientëve shqiptarë dhe administrohen në shtëpi, ndërkohë që kudo gjetkë janë medikamente strikt për përdorim spitalor dhe protokoll mjekimi shumë të kufizuar.

Borat!

Ti krijove një sistem monstruoz i cili e la pacientin në shtëpi, të sëmurë, të pambrojtur dhe nën grykësinë e përbindëshave makutë dhe spekulantë.

Në spitalet e tua nuk dëgjohej më zëri i mjekëve bluzëbardhë por ai i administratorëve të tu rilindës të cilët u bënë palë me “Tiret” dhe me pjesën më të kalbur të bluzave të bardha.

Sot ata janë bërë miliarderë, Borat! Me një pasuri të ngritur mbi sëmundjen dhe vdekjen! Sepse ata merrnin mijëra Euro për një pacient të shtruar, pavarësisht në se pacienti vdiste apo jetonte!

E vetmja gjë që njerëzit duhet të bëjë në këto momente, është të mos fshihen më pas adresave falso në facebook dhe pas numrave të panjohur në ËhatsApp!

Është koha që familjarët e atyre 9 mijë shqiptarëve që humbën jetën të flasin! Ose edhe a atyre mijëra të tjerëve që shpëtuan por u rropën nga “Tiret”!

Të flasin për babanë që vdiq sepse ikën dritat dhe nuk punonte më aparati i oksigjenit!

Të flasin se megjithëse shpenzuan mijëra Euro për të blerë Remdesivir-in dhe Tocilizumab-in shpesh të dhënë pa indikacion, përsëri të afërmit humbën jetën. Ta denoncojnë ndërmjetësin “bamirës”!

Të denoncojnë infermieren, sanitaren apo koordinatorin “zemërmirë” që kërkonte “gjobën” çdo mëngjes për të çuar një tas supë apo një palë rroba të pastra tek pacienti që ishte duke dhënë shpirt.

Të denoncojnë edhe mjekun që pranonte “dhuratën” qindra apo mijëra euroshe duke marrë pamjen e përdëllyer me shprehjen patetike “Eh, sa u lodhëm, por ja dolëm”!

E pra ky është shteti yt, Borat!

Jo ai i lyeri dhe i mbjellë me bar, por ai që të lë të vdesësh në spital dhe në shtëpi kur nuk ke para për të paguar “Tiret” që nisin tek sanitarja dhe përfundojnë në majë të piramidës që ti ngrite tetë vite rresht!

Turp!

 

Shtuar 23.03.2021 08:03