Në emisionin “Open” po flitet për fenomenin Big Brother VIP. Ema Andrea u shpreh se fjala “hero” nuk është e duhura dhe e cilëson dëshpërues faktin që një artist duhet të futet në një format për të promovuar vlerat e veta, gjë që Ilir Shaqiri e mohoi.
Ai tregoi arsyen përse zgjodhi të hynte në Big Brother VIP ndërsa theksoi se donte t’i tregonte shqiptarëve se si ishte si njeri pasi u largua nga Shqipëria në një kohë kur arti shqiptar ishte në greminë. Sa i përket surprizës që mori natën finale në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit duke thënë se është një pamje që i qeshin sytë dhe i loton shpirti.
Ema Andrea: Heroi nuk më duket termi i duhur për tu përdorur. Të jesh i famshëm dhe të kesh vlera nuk janë gjithmonë të barabarta. Iliri është një artist, për të cilin shqipëria dhe audienca shqiptare nuk e di a ishte dhe aq e interesuar për shfaqjet që ka bërë. E kjo më bën të mendoj për pikën ku arrin një artist për të marrë lavdinë, që ndoshta e ka merituar prej profesionit.
Po më vjen keq që vendi ynë di të shohë vetëm politikë e Big Brother dhe pse është jeta jonë kaq mediokër. Kjo më duket situatë e dëshpëruar në përgjithësi. E vërteta është që të premten, teatri nuk kishte spektatorë sepse të gjithë donin të shihnin se si ha, pi e një njeri që është mbledhur për të bashkëjetuar në një shtëpi.
Ilir Shaqiri: Nuk erdha të kerkoj lavdi. Erdha vetëm të tregoj vetveten si njeri, jo si artist. Unë kam pasur këtë nevojë se jam larguar në 1992 nga Shqipëria, në një kohë kur arti shqiptar ishte në greminë.
Ema Andrea: Ashtu ishte akoma.
Ilir Shaqiri: Unë pashë një TKOB të super strukturuar dhe për mua është një pamje që më qeshin sytë e më loton shpirti se si e lashë dhe e gjeta. Nuk erdha që të demonstroj artin tim. Unë kam ardhur këtu për t’i treguar popullit tim se kush ishte Ilir Shaqiri sepse përmes skenës, nuk mund ta tregosh origjinalitetin e personit. Nuk mund t’ja tregoj se si peshkon, lan dhëmbët apo dicka tjetër. Doja të më njihnin përtej asaj që është skena ime.