Ministrja Delina Ibrahimaj dorëhiqet nga Qeveria?!

Ministrja e Financave, Delina Ibrahimaj ka dorëzuar dorëheqjen nga posti. Kërkesa për t’u larguar nga Qeveria është në tryezën e Edi Ramës, që do të vendosë nëse do ta pranojë apo jo atë.

Burime të sigurta të Voxnews.al pohojnë se Ibrahimaj ka dorëzuar dorëheqjen javën e kaluar. Vendimi, thonë burimet, ka si shtysë hetimin e nisur ndaj Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Financave, Arlind Gjokutaj.

Gjokutaj u arrestua me urdhër të SPAK me akuzën e shpërdorimit të detyrës. Ai akuzohet për shkaktim dëmi prej 1.2 milionë eurosh ndaj buxhetit të shtetit në rastin e dëmshpërblimit të dhënë dy herë të një prone shtetërore në Tiranë për shtetasin Ilir Thana, gjithashtu i akuzuar nga SPAK për mashtrim.

Zyrtarisht nga qeveria kanë heshtur në lidhje me këtë dorëheqje. Jozyrtarisht, Voxneës.al mëson se në një nga mbledhjet e fundit të kabinetit qeveritar, ku mungonte Edi Rama dhe të drejtuar nga zv.Kryeministrja Belinda Balluku ka pasur debate të forta.

Ndërkohë, veç dorëheqjes ende të pazyrtarizuar nga Qeveria, Delina Ibrahimaj është shkarkuar edhe si koordinatore politike e Partisë Socialiste në njësinë 5 në Tiranë. Vendimi është marrë po javën e kaluar.

Distancimi i Delina Ibrahimajt u vu re edhe në ceremoninë e nënshkrimit të dy marrëveshjeve të fundit që i hapin rrugë ndërtimit të Portit të Durrësit nga Alabbar.

Ministria e Financave ka një rol kyç në këtë projekt, si menaxhuese e 33 për qind të aksioneve që ka shteti shqiptar në ndërtimin e këtij porti. Përveç kësaj, kur diskutohej në nëntor të vitit të kaluar në Kuvend projektligji për këtë koncesion, Delina Ibrahimaj ishte ndër mbrojtëset më të zellshme të këtij investimi.

Për më tepër, Ibrahimaj ka marrë pjesë si folëse, apo në panel në të gjitha takimet e ngjashme, ndërsa në nënshkrimin e marrëveshjes finale ajo mungoi, duke u përfaqësuar nga zv.ministri Besart Kadia./vox