Ministria e Drejtësisë, ligj të posaçëm për agjencitë imobiliare, agjentët: Nuk po na japin mundësi të ofrojmë sugjerimet tona

Ministria e Drejtësisë ka propozuar një projektligj që rregullon aktivitetin e agjencive imobiliare në Republikën e Shqipërisë, por agjentët imobiliarë kanë një tjetër shqetësim, i cili lidhet me kohën e shkurtër që u kanë lënë për të dhënë sugjerimet e tyre.

Përmes një reagimi publik Shoqata Kombëtare e Ndërmjetësve të Pasurive të Paluajtshme të Shqipërisë (NAREA) shprehet se Ministria e Drejtësisë i ka njoftuar vetëm 24 orë para datës për konsultim me ta në lidhje me ligjin, e cila sipas tyre është e pamjaftueshme.

“Gjatë ditës së djeshme (3 Nëntor 2021), pothuajse në përfundim të orarit zyrtar, jemi njoftuar  nga Ministria e Drejtësisë për një takim përmbyllës konsultativ ditën e premte, datë 5 nëntor 2021, duke lënë kështu në dispozicion, për të konsultuar paraprakisht një Projektligj kaq të rëndësishëm për ne, vetëm 1 ditë pune. Marrë në konsideratë këtë, e bën të pamundur dhënien e një kontributi ndërtues nga komuniteti i biznesit të NAREA.

Si NAREA shprehim jo vetëm shqetësimin tonë por dhe kërkesën ndaj Ministrisë së Drejtësisë, si institucion ligj hartues, që të marrë në konsideratë krijimin e hapësirës kohore të nevojshme, duke mos nxituar të përmbyll Konsultimin dhe vetë Projektligjin në fjalë, për të ndërtuar bashkërisht një Ligj të qëndrueshëm në kohë dhe që i shërben të gjithë aktorëve në këtë proces”, reagon Shoqata Kombëtare e Ndërmjetësve të Pasurive të Paluajtshme të Shqipërisë.

Reagimi i plotë:

Të nderuar,

Shoqata Kombëtare e Ndërmjetësve të Pasurive të Paluajtshme të Shqipërisë (NAREA), është shtëpia e Ndërmjetësve të Pasurive të Paluajtshme, Brokerave dhe Rrjeteve të Franshizave që operojnë në Shqipëri. NAREA synon Promovimin e Biznesit të Ndërmjetësimit të Pasurive të Paluajtshme,  Zhvillimin & Strukturimin e Sektorit të Pasurive të Paluajtshme, Përfaqësimin Profesional të Interesave të Aktorëve në treg, si dhe të Udhëheqë drejtë Standardeve të Larta të Etikës në Biznes.

Mbështetur në Themelin dhe Misionin e NAREA, dëshirojmë të ndajmë me ju dhe më gjerë, se si komunitet Sipërmarrësish dhe Punëdhënës, jemi thellësisht të shqetësuar për klimën, frymën dhe nxitimin në të cilën po tentohet të zhvillohet procesi konsultativ në lidhje me Projektligjin “Për profesionin e ndërmjetësit të pasurive të paluajtshme”.

Gjatë ditës së djeshme (3 Nëntor 2021), pothuajse në përfundim të orarit zyrtar, jemi njoftuar  nga Ministria e Drejtësisë për një takim përmbyllës konsultativ ditën e premte, datë 5 nëntor 2021, duke lënë kështu në dispozicion, për të konsultuar paraprakisht një Projektligj kaq të rëndësishëm për ne, vetëm 1 ditë pune. Marrë në konsideratë këtë, e bën të pamundur dhënien e një kontributi ndërtues nga komuniteti i biznesit të NAREA.

Si NAREA shprehim jo vetëm shqetësimin tonë por dhe kërkesën ndaj Ministrisë së Drejtësisë, si institucion ligj hartues, që të marrë në konsideratë krijimin e hapësirës kohore të nevojshme, duke mos nxituar të përmbyll Konsultimin dhe vetë Projektligjin në fjalë, për të ndërtuar bashkërisht një Ligj të qëndrueshëm në kohë dhe që i shërben të gjithë aktorëve në këtë proces.

NAREA dëshiron të ndaj dhe me ju, se mbetet e përkushtuar që të japë kontributin ndërtues, si dhe të udhëheqë nëse është e nevojshme, drejtë standardeve më të larta të një kuadri Ligjor dhe Rregullues të Ndërmjetësimit të Pasurive të Paluajtshme. Ne dëshirojmë kështu mirëfunksionimin e këtij sektori sipas praktikave më të mira në vendet e zhvilluara si USA & EU.