Ministri i Drejtësisë Toni Gogu takohet me kreun e SPAK Klodian Braho: Bashkëpunim për përmirësimin e kuadrit ligjor dhe rritjen e efikasitetit të sistemit

Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, u takua me drejtuesin e SPAK, Klodian Braho, në kuadër të përgjegjësive të Ministrisë së Drejtësisë për funksionimin e sistemit të drejtësisë.

Në qendër të bisedës ishte bashkëpunimi ndërinstitucional në disa drejtime kyçe, që sipas ministrit lidhen me përmirësimin e kuadrit ligjor, forcimin e kapaciteteve institucionale, mbështetjen infrastrukturore dhe rritjen e efikasitetit të sistemit.

Të lidhura

None found

Sipas Ministrit Gogu, një nga pikat kryesore të bashkëpunimit do të jetë adresimi i boshllëqeve ekzistuese ligjore, përfshirë çështje që lidhen me statusin e prokurorëve, kompetencat proceduriale dhe bashkëpunimin ndërkombëtar.

Po ashtu, në fokus mbeten edhe koordinimi në nivel politikash publike, si dhe konsolidimi i standardeve e praktikave që garantojnë siguri juridike dhe besim publik.

Ministri e vlerësoi SPAK-un si një institucion kyç në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, duke e lidhur rolin e tij jo vetëm me forcimin e shtetit të së drejtës, por edhe me avancimin e procesit të integrimit europian të Shqipërisë.

Gogu theksoi se bashkëpunimi me SPAK dhe të gjitha institucionet e drejtësisë, do të mbështetet në respektimin e plotë të ndarjes së pushteteve dhe të pavarësisë së institucioneve, duke nënvizuar se qëllimi është një sistem drejtësie më funksional, më i besueshëm dhe më efikas për qytetarët.


Shtuar 3.04.2026 09:36