Minatorët protestë para Kuvendit: Kërkojmë kushte më të mira ekonomike dhe votimin e statusit

Minatorët janë ngritur në protestë para Kuvendit të Shqipërisë pak para nisjes së seancës plenare, ku kanë kërkuar kushte ekonomike më të mira dhe votimin e statusit të minatorit.

Ata kanë deklaruar se pensionet që marrin janë tejet të ulëta dhe nuk u mjaftojnë as për të blerë ilaçe.

“Minatorët duan status, duan kushte ekonomike, ju i keni lënë e mjerim dhe ne po vuajmë sot. Secili prej nesh ka tre palë ilaçe. Pensioni qesharak që na keni dhënë nuk na del as për ilaçe”, tha njëri prej tyre.

Ndërkohë, një tjetër prej pjesëmarrësve në protestë i ka bërë thirrje Kuvendit të votojnë statusin e veçantë, ndërsa është shprehur “nëse nuk e bëni, ju vraftë gjaku i rënë i minatorëve”.

“Ky është realiteti shqiptar, ta marrë vesh gjithë bota. Ne minatorët jetojmë më një pension qesharak, nga 180-280 mijë lekë të vjetra. I bëj thirrje ministrave të miratojnë kërkesat dhe statusin e minatorit, të respektoni Kushtetutën dhe votën e popullit.

Nëse nuk e bëni, ju vraftë gjaku i rënë i minatorëve. Minatorët kanë punuar me ndershmëri, ndërsa ju për të na vjedhur”, është shprehur një tjetër prej minatorëve.


Shtuar 9.05.2024 10:52