Michelle Obama rrëfen luftën me depresionin gjatë pandemisë

Ish-zonja e parë e SHBA-ve, Michelle Obama, ka folur në një intervistë në lidhje me luftën e saj me depresionin e shkallës së ulët gjatë pandemisë Covid-19 dhe sfidat e vitit 2020, duke inkurajuar të tjerët të flasin për shëndetin e tyre mendor.

“Depresioni është i kuptueshëm në këto rrethana, gjatë këtyre kohërave. Në një farë mënyre, po ta mendosh, duket jo reale të besosh se mund të ringrihesh pas gjithë këtyre tronditjeve dhe traumave, pa përjetuar dhe pa ndjerë asgjë negative. Kjo është një nga arsyet pse duhet të flasim për shëndetin mendor, sepse të gjithë kalojmë trauma, ankth, vështirësi në mënyra të ndryshme”, tha Obama në intervistën për revistën People.

Pandemia Covid-19 dhe pasojat ekonomike, sipas studimeve, kanë sjellë krizë në shëndetin mendor të njerëzve. Një studim i Qendrave të Kontrollit të Sëmundjeve dhe Parandalimit të Sëmundjeve në gusht tregoi se gati 41% e të anketuarve në Amerikë, raportuan probleme të shëndetit mendor që burojnë nga pandemia.

Rreth 1 nga 3 amerikanë thanë se kishin përjetuar simptoma ankthi ose depresioni.

Verën e kaluar, Obama zbuloi në podcastin e saj se po vuante nga depresioni i shkallës së ulët, gjatë kulmit të pandemisë, problemeve racore në SHBA dhe problemeve politike.

Për revistën People, Obama tha se duhej ta pranonte atë që po kalonte, edhe pse shpesh mundohemi të fshehim atë pjesë të vetes.

Obama gjithashtu i tha për revistën People se ajo është vaksinuar kundër Covid-19.

“Unë i inkurajoj të gjithë të bëjnë një vaksinë sa më shpejt që të jetë e mundur”, tha ajo.

Ish-zonja e parë gjithashtu ndau se pandemia e ka lejuar atë dhe ish-Presidentin Barack Obama të krijojnë një marrëdhënie më të fortë me dy vajzat e tyre ndërsa ishin në karantinë

“Edhe pse këto kohë kanë qenë sfiduese, ne kemi mësuar të numërojmë bekimet tona, rëndësinë e shëndetit dhe familjes”, tha Obama.


Shtuar 11.03.2021 14:33