Meta nuk u paraqit në seancë, Hyseni: Jemi gati ta dëgjojmë presidentin deri të hënën

Presidenti i Presidentit Ilir Meta nuk u paraqit ditën e sotme në seancën dëgjimore të Komisionit Hetimor, të ngritur për shkarkimin e tij.

Në një letër drejtur Kuvendit, ai tha se kërkesa sipas tij nuk referon asnjë dispozitë kushtetuese.

Kreu i Komisionit, Alket Hyseni, tha se ne si komision, jemi të hapur për ta dëgjuar nga e nesërmja deri ditën e hënë.

“Presidenti konteston legjitimitetin e Kuvendit, ngre pretendime procedurale lidhur me shkresat e Komisionit Hetimor. Ai thotë se në dy rastet ku i është kërkuar thirrja për t’u paraqitur në seancat dëgjimore, ka qenë i angazhuar. Secili nga anëtarët e komisionit, mund të njihet me tekstin e plotë të shkresës dhe argumentet e presidentit. Unë propozoj, që duke mundësuar dëgjesën e presidentit, me qëllim për të dëgjuar edhe palën tjetër që është le të themi pala nën hetim, sipas Kushtetutës, rregullores së Kuvendit, por edhe detyrim i këtij komisioni për të dëgjuar Presidentin, por edhe qëndrim dhe e drejtë nga ana e tij. Propozoj t’i nisim një shkresë Presidentit, që ne si komision, jemi të hapur për ta dëgjuar nga e nesërmja deri ditën e hënë. Për ta dëgjuar, e të shmangur alibitë. Nga data 19 maj deri të hënën. Ne e kemi të pamundur që përtej ditës së hënë, 24 maj, për të zhvilluar veprimtarinë hetimore. Ne duhet të mbyllim hetimet dhe të kemi mundësi për të bërë një krehje të plotë për faktet, e për të krijuar bindjen e plotë e më tej për të mundësuar përgatitjen e raportit, koha do të ishte e papranueshme, afati aktual do të jetë ditën e hënë”, tha Alket Hyseni.

Edhe anëtari i Komisionit, Spartak Braho ka komentuar refuzimin e ftesës nga ana e Metës.

“Nëse Presidenti nuk njeh legjitimitetin e Kuvendit, është puç, nuk është Republikë Parlamentare”, tha ai./albeu.com