Meta: Masat kontradiktore nga autokratët nuk ndihmuan në kontrollin e pandemisë

Presidenti Ilir Meta përmes një postimi në Facebook ka ndarë një mesazh nga Konferenca Ndërkombëtare “Rrugë të reja për t’u përkujdesuar – Bota pas Pandemisë së COVID-19, multilaterizmi për një të ardhme më të mirë”, që po zhvillohet në Romë.

Meta shkruan se mungesa e një protokolli të unifikuar standard për kontrollin e pandemisë dhe disa masave të caktuara kontradiktore nuk ndihmuan në përballimin e pandemisë.

Postimi i Metës:

Kënaqësi të merrja pjesë sot në Konferencën Ndërkombëtare “Rrugë të reja për t’u përkujdesuar – Bota pas Pandemisë së COVID-19, multilaterizmi për një të ardhme më të mirë”, që po zhvillohet në Romë, organizuar nga Këshilli i Koorporatës Europiane për Afrikën dhe Lindjen e Mesme.

Të gjithë e dimë se mungesa e një protokolli të unifikuar standard për kontrollin e pandemisë dhe disa masave të caktuara kontradiktore e jo të bazuara në kërkime thelbësore shkencore, krijuan një terren të përsosur për abuzimin e pushtetit, veçanërisht nga autokratët dhe regjimet e tyre.

Shfaqja e panevojshme e forcës, ndonjëherë edhe me praninë e strukturave ushtarake, imponoi pengesa të panevojshme si dhe kufizime të lirisë së qytetarëve.

Këto nuk ndihmuan aspak në drejtim të kontrollit të pandemisë!

Vendet dhe politikanët, të cilët dëgjuan dhe ndoqën me kujdes këshillat e shkencës dhe kërkimit shkencor, ishin shumë më tepër efikasë e më të suksesshëm, veçanërisht në mbrojtjen e jetës dhe shëndetit të qytetarëve./albeu.com


Shtuar 1.11.2021 18:05